Alves: Nuk është e drejtë që Messi nuk ishte në listën për lojtarin më të mirë
Ish-lojtari i Barcelonës, tani në Paris Saint-Germain, Dani Alves, ka thënë se është e padrejtë që ylli argjentinas, Lionel Messi, nuk u përfshi në listën e ngushtë të lojtarëve të nominuar për lojtarin më të mirë të vitit.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve të FIFA-s u mbajt mbrëmë në Londër. Ylli i Barcelonës, Messi, u la jashtë listës së ngushtë për lojtarin më të mirë të vitit, pasi që tre kandidatët ishin Mohamed Salah, Cristiano Ronaldo dhe Luka Modrici.
Në fund, çmimin e fitoi Luka Modrici me 29.05 për qind të votave. Edhe vet Messi e kishte votuar kroatin për ta fituar vendin e parë, duke ia dhuruar kështu pesë pikë të tjera.
Por, Alvesi ka bërë të ditur se ai mendon që votuesit nuk vlerësuan siç duhet kur e vendosën fituesin e përgjithshëm, dhe për këtë arsye ai e quan vendimin për ta lënë Messin jashtë listës së ngushtë për lojtarin më të mirë të padrejtë.
“Është e padrejtë që Messi nuk u nominua për çmimin për lojtarin më të mirë të vitit”, ka thënë Alvesi.
“Nuk është e drejtë që ata e kanë vlerësuar vetëm atë që ai e ka bërë për Argjentinën dhe jo ato që i ka bërë me Barcelonën”.
(Kosova Sot)