600 golat e Messit: Statistikat që duhet t’i dini

  • 02 May 2019 - 10:55
600 golat e Messit: Statistikat që duhet t’i dini

Lionel Messi e la Liverpoolin të zhgënjyer me dy golat në ndeshjen që Barcelona e fitoi mbrëmë me rezultat 3:0, në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kampionëve. Në këtë ndeshje, ai e shënoi golin e 600-të në karrierë.

Goli i dytë i Lionel Messit mbrëmë ishte një goditje e mrekullueshme nga gjuajtja e lirë, që e mposhti portierin Alisson Beckerin. Ky ishte goli i 600-të në 683 paraqitjes e argjentinasit për Barcelonë, 14 vjet pasi e shënoi golin e tij të parë për katalonasit, shkruan Sky Sports

Golin e parë në karrierën me Barcelonën, Messi e shënoi Albacetes në kuadër të La Ligës, pas një pasimi të mirë nga Ronaldinho. Shumë gjëra kanë ndodhur që nga atëherë. Më poshtë janë disa nga statistikat mbresëlënëse të karrierës së 31-vjeçarit.

Messi është golashënuesi më i mirë në histori të Barcelonës. Në fakt, ai i ka shënuar të paktën 368 gola më shumë se cilido lojtar tjetër. Argjentinasi e theu rekordin e Cesar Rodriguezit në vitin 2012, kur shënoi het-trik kundër Granadas.

Gjatë karrierës së tij me Barcelonën, Messi ka shënuar kundër 76 nga 86 klubet kundër të cilëve ka luajtur. Sevilla është viktima e tij e preferuar, pasi që argjentinasi i ka shënuar 36 gola kundër tyre, më shumë së kundër cilitdo klub tjetër.

Dy nga pesë viktimat e preferuara të Messit sa i përket numrit të golave të shënuara janë rivalët e vjetër të Barcelonës, Real Madridi (26 gola) dhe fqinji Espanyol (25). 31-vjeçari është golashënuesi më i mirë edhe në El Clasico edhe në derbit e Barcelonës.

Gjithashtu, Messi ka shënuar në gjashtë gara të ndryshme për Barcelona, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve në La Liga dhe në Superkupën e Spanjës. Ai është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Ligës së Kampionëve me 112 gola, duke mbetur prapa Cristiano Ronaldos, që ka shënuar 126 herë.

Sa i përket llojit të golave që Messi i shënon, 491 prej tyre janë shënuar me këmbën e majtë, ndërsa vetëm 85 me këmbën e djathtë. 501 prej tyre janë shënuar nga brenda zonës së portierit. 42 për qind e golave të shënuara nga jashtë 16-metërshit janë shënuar nga gjuajtjet e lira. Messi e përmirësoi edhe më shumë këtë rekord mbrëmë kundër Liverpoolit, kur e shënoi golin e tretë të Barcelonës nga distanca prej gjuajtjes së lirë.

Tre nga pesë lojtarët që e kanë ndihmuar Messin me më së shumti asiste kishin luajtur përkrah tij edhe në ekipin e rezervave të Barcelonës në këtë kaluarën. Bashkëlojtari i tij aktual, Luis Suarezit, i nevojitet vetëm edhe një asist për ta barazuar rekordin e Dani Alvesit si asistuesin më të mirë të golave të Messit.

Pasi e shënoi golin e parë kundër Albacetes, Lionel Messi iu nevojiten 1721 ditë për ta shënuar golin e 100-të me fanellën e Barcelonës, 654 ditë për ta arritur golin e 200-të, 473 ditë për të 300-tin, 791 ditë për të 400-tin dhe 735 për ta shënuar golin e 500-të.

Golin e 500-të e kishte shënuar kundër Real Madridin në stadiumin e tij të preferuar përveç Camp Nou, në Santiago Bernabeu. Ndërsa golin e 100-të e gjeti në shtëpinë e Barcelonës në një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme.

(Kosova Sot Online)