Flet Vukicevic pas debutimit me Feronikelin

  • 17 gusht 2019 - 21:37
Flet Vukicevic pas debutimit me Feronikelin

Trajneri i ri i Feronikelit, Dejan Vukicevic, është shprehur i kënaqur që e nisi karrierën e tij në Ipko Superligë të Kosovës me fitore, mirëpo beson se skuadra e tij duhet të përmirësohet edhe më shumë.

Kampioni i Kosovës, që vitin e kaluar e fitoi edhe titullin e Ipko Superligës e edhe atë të Kupës së Kosovës, e nisi me këmbë të mbarë edhe sezonin e ri, pasi që shënoi fitore me rezultat 4:1 në derbin lokal kundër Drenicës.

Në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, Feronikelit fillimisht ia dha epërsinë Kastriot Rexha, ndërsa në pjesën e dytë kjo epërsi u dyfishua përmes Da Silvas, i cili shënoi gol nga pika e penalltisë.

Megjithatë, kjo nuk ishte e gjitha, pasi që Rexha shënoi sërish, në minutën e 69-të. Golin ngushëllues për Drenicën e shënoi Diar Prokshi në minutën e 80-të, ndërsa tre minuta para fundit Bojku e shënoi golin e katërt të Feronikelit.

“Është e bukur kur debuton me fitore, sidomos si kjo bindëse. Falënderoj gjithë tifozët të cilët ishin në numër për të na ndjekur dhe besoj se kanë mbetur të kënaqur me efikasitetin e treguar, pasi që duhet të përmirësohemi shumë ende në lojë”,deklaroi Vukiçeviq për Super Sport Kosova.

“Ekipi nuk është në formën më të mirë fizike, jo për shkak se është punuar dobët, por për shkak të ngarkesave të shumta në ndeshjet e Evropës dhe mos pushimit të mjaftueshëm të verës”.

“Prandaj nuk jam ende i kënaqur me lojën e ekipit dhe jam i vetëdijshëm që mund të kemi probleme me fizikun e futbollistëve për shkak të lodhjes, por do të tentojmë që ta ruajmë këtë formë dhe ta ngremë atë në nivelet më të lartë”.

“Jam ende në njohje të ekipit, por e di që këtu ka cilësi. E falënderoj edhe trajnerin e mëparshëm (Zekirija Ramadani) që ka arritur ta ruaj boshtin e ekipit. Ne tashmë do të shohim para nga ndeshja tjetër”. 

(Kosova Sot Online)