Tre të vdekur nga përleshjet mes tifozëve të futbollit në Honduras

  • 18 gusht 2019 - 10:43
Tre të vdekur nga përleshjet mes tifozëve të futbollit në Honduras

Tre persona kanë vdekur dhe dhjetë të tjerë janë lënduar gjatë dhunës që shpërtheu mes tifozëve të dy ekipeve rivale të futbollit në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa.

Dhuna shpërtheu para ndeshjes së planifikuar futbollistike mes ekipeve Motagua dhe Olimpia të shtunën në mbrëmje.

Gjithçka filloi kur disa tifozë e sulmuan me gurë autobusin e ekipit Motagua, me ç’rast u lënduan tre lojtarë të këtij klubi.

Pasi zyrtarët e federatës e anuluan ndeshjen, grupet e tifozëve i filluan përleshjet brenda dhe jashtë stadiumit.

“Tre njerëz kanë vdekur, ndërsa shtatë të tjerë janë qëlluar me armë ose janë therur me thika. Një prej tyre është fëmijë. Tre persona të therur janë në gjendje të rëndë”, tha zëdhënësja e spitalit lokal, Laura Schoenherr.

Më shumë se 10 mijë persona ishin në stadium kur filluan përleshjet. Policia përdori gaz lotsjellës për t’i larguar personat e dhunshëm dhe për ta shmangur ballafaqimin mes dy grupeve rivale.

Klubi i Motagua-s publikoi në internet fotografi të lojtarëve të lënduar dhe autobusit të dëmtuar, të cilët u dërguan në spital. Zyrtarët e ekipit i fajësuan tifozët “ultras” të Olimpia-s për këtë tragjedi, duke kërkuar dënim të ashpër nga autoritetet, shkruan “BBC”.