Çekia lajmëron për biletat për ndeshjen kundër Kosovës, lë vend për 627 Dardanë

  • 16 October 2019 - 10:56
Çekia lajmëron për biletat për ndeshjen kundër Kosovës, lë vend për 627 Dardanë

Federata e Futbollit e Republikës Çeke ka njoftuar për shitjen e biletave për ndeshjen e 14 nëntorit kundër Kosovës, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, duke zbuluar se 627 ulëse janë rezervuar për “Dardanët”.

Kosova do të udhëtojë në Çeki për ndeshjen e rëndësishme për kualifikimet në Kampionatin Evropian 2020, që do të zhvillohet më 14 nëntor në stadiumin “Doosan Arena".

Ky stadium ka kapacitet prej 11,700 ulësesh, prej të cilave 627 janë rezervuar për tifozët e Kosovës. Tifozët e Kosovës duhet t’i blejnë biletat përmes Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në anën tjetër, tifozët e Çekisë mund t’i blejnë biletat për këtë ndeshje qysh nga nesër. Federata çeke ka paralajmëruar se nuk do t’ju shiten këto bileta asnjë personi që s’është qytetas i Çekisë.

Kjo ndeshje ka shumë rëndësi për fatin e të dyja Kombëtareve në EURO 2020. Me një fitore në shtëpi, Çekia kualifikohet në EURO 2020, ndërsa një rezultat i tillë do ta eliminonte Kosovën.

Kosova duhet të ngrihet të paktën në pozitën e dytë në tabelën e Grupit A për ta arritur kualifikimin në Kampionatin Evropian përmes fazës së grupeve. Më poshtë mund t’i lexoni rezultatet që i duhen Kosovës në dy ndeshjet e nëntorit – kundër Çekisë dhe Anglisë, për ta siguruar kualifikimin.

– Kosova eliminohet nëse humb kundër Republikës Çeke.

– Nëse Kosova e mposht Çekinë, atëherë mund t’i duhet barazimi kundër Anglisë varësisht nga rezultati i ndeshjes Bullgari – Çeki (nëse Çekia fiton kundër Bullgarisë, Kosovës do t’i duhej të paktën barazim kundër Anglisë; çfarëdo barazimi apo humbje e Çekisë kundër Bullgarisë do ta dërgonte Kosovën automatikisht në Evropian, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë).

– Nëse Kosova barazon kundër Çekisë, atëherë Kosovës i duhet të paktën barazim kundër Anglisë dhe Çekia duhet të humbë kundër Bullgarisë.

– Nëse Kosova s’e arrin kualifikimin në këtë mënyrë, e ka të siguruar një vend në play-offs, si fitues i Grupit D3 të Ligës së Kombeve.

(Kosova Sot Online)