Presidenti Tommasi për skuadrën e Amir Rrahmanit: Verona s’është raciste, tifozët janë

  • 05 November 2019 - 08:46
Presidenti Tommasi për skuadrën e Amir Rrahmanit: Verona s’është raciste, tifozët janë

Presidenti i Shoqatës së Futbollistëve të Italisë, Damiano Tommasi, beson se thirrjet raciste në drejtim të sulmuesit të Brescias, Mario Balotelli, nga tifozët e Hellas Veronas nuk do të thonë që qyteti e ka problem racizmin.

Mario Balotelli, i cili ka qenë cak i shumë sulmeve gjatë karrierës së tij, u bë sërish viktimë e thirrjeve raciste nga tifozët në tribunat e stadiumit gjatë përballjes të së dielës në Seria, në stadiumin Marcantonio Bentegodi në Verona.

Sulmuesi italian reagoi me nervozizëm, duke e goditur topin drejt turmës, para se të bindej të qëndronte në fushën e lojës nga bashkëlojtarët e tij dhe kundërshtarët.

Pasi një deklaratë u lexua në stadium, ndeshja rinisi dhe Balotelli e shënoi një gol në minutën e 85-të, mirëpo skuadra e tij prapëseprapë pësoi disfatë me rezultat 2:1.

Tommasi e dënoi problemin me racizmin në futbollin italian, mirëpo insistoi se qyteti i Veronës nuk e ka problem dhe se për këtë duhet të marrin përgjegjësi disa prej tifozëve të Hellas Veronës, ku luan edhe Amir Rrahmani i Kosovës dhe Marash Kumbulla i Shqipërisë.

“Unë dëgjoj shumë racizëm dhe edhe nëse janë vetëm dy persona në stadium që po bëjnë thirrje raciste, ajo është e tepër prapëseprapë”, tha Tommasi.

“Pak njerëz e dinë se Zeno kishte qenë peshkop me ngjyrë dhe se Misionarët Comboni në Afrikë kishin lindur këtu. Qyteti nuk është racist, por sjellja e tifozëve ultras të Veronës është”.

Megjithatë, trajneri i Hellas Veronës, Ivan Juric, e akuzoi Balotellin se po gënjen për thirrjet raciste, duke insistuar se “ky është problemi i tij, e jo i yni”.

“Sot nuk kishte asgjë, asnjë thirrje raciste. Pati fishkëllima në drejtim të një lojtari të mrekullueshëm, por s’pati asgjë të gabuar. Nuk e di pse reagoi në atë mënyrë. Le ta themi kështu, është një gënjeshtër”.

“Ne s’flasim gjepura .Nëse do të kishte ndodhur, unë do ta pranoja edhe nëse do të ishte nga tifozët tanë. Do të isha i neveritur. Por, jo sot. Kur ai e shënoi golin pati shumë fishkëllima. Ishte problemi i tij, jo i yni”

(Kosova Sot Online )