BBC: Kosova e pret Anglinë në një mënyrë që Mali i Zi dhe Bullgaria s’e priten

  • 17 November 2019 - 09:19
BBC: Kosova e pret Anglinë në një mënyrë që Mali i Zi dhe Bullgaria s’e priten

Transmetuesi publik britanik, BBC, e ka vënë në pah mikpritjen madhështore që Kosova ia ka bërë tifozëve dhe lojtarëve të ekipit kombëtar të Anglisë, para ndeshjes së fundit kualifikuese për Euro 2020 mes tyre në Prishtinë, për dallim nga shteti fqinj Mali i Zi dhe Bullgaria.

Duke shkruar për banerët me mbishkrimin “Mirë se vjen, vëlla”, dhe “Mirë se vini dhe Respekt”, BBC në një artikull të veçantë për pritjen që iu bë Anglisë në Prishtinë, nënvizoi: “Kjo ka qenë tema që i ka paraprirë një ndeshjes që vlerësohet si ndër momentet më të rëndësishme në histori të këtij vendi”.

“Ky është një demonstrim tipik kosovar i faktit se lojtarët e Anglisë do të mirëpriten këtu në një mënyrë që ata s’u priten në Malin e Zi dhe Bullgari, ku pjesëtarë të skuadrës së Gareth Southgate ishin subjekt i abuzimeve raciste”, shkruan BBC. 

“Po ashtu, kjo tregon se në këtë qytet dhe në tërë Kosovën ende ndihet mirënjohja për përfshirjen e Britanisë së Madhe në çlirimin e vendit nga lufta”, shkruan tutje BBC.

Kosova është nikoqire e Anglisë në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, në ndeshjen e fundit për të dy ekipet kombëtare në Grupin A kualifikues që nis në orën 18:00, me këtë të fundit që është kualifikuar tashmë.

“Tre luanët” mbërritën në Prishtinë të shtunën në mbrëmje dhe trajneri i tyre, Gareth Southgate, u shpreh shumë i kënaqur me pritjen madhështore që kosovarët janë duke ia bërë tifozëve dhe lojtarëve të Kombëtares së tij.

“Na është bërë një mikpritje shumë e ngrohtë. Mendoj se kjo ndeshje është festë për Kosovën. Sa keq se ata nuk ishin në gjendje të kualifikohen”, tha Southgate.

“Ata kanë mundësi të krijojnë rezultat historik këtu dhe ne kemi besim se do të na presin shumë mirë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)