NBA: Doncic thyen rekord të ri

  • 21 November 2019 - 12:55
NBA: Doncic thyen rekord të ri

Luka Doncic shkruan historinë në NBA, duke u bërë lojtari më i ri i kompeticionit elitar të basketbollit që realizon 2 “triple double” radhazi.

Një rekord që i përkiste Oscar Robertsonit dhe që slloveni i Dallas Mavericks e theu në sfidat me San Antonio Spurs dhe me Golden State Warriors. Në fitoren e thellë 142-94 ndaj finalistëve të sezonit të fundit, Doncic realizoi 35 pikë, dha 10 asiste dhe kontrolloi 11 topa poshtë koshit.

Vjen fitorja e pestë radhazi e Milwaukee Bucks, që u imponuan 135-127 kundër Atlanta Hawks. Një sukses i siguruar në periodën e tretë, me një rezultat të pjesshëm 38-22 në favor të skuadrës së drejtuar nga Mike Budenholzer.

Giannis Antetokounmpo, si gjithmonë, rezultoi protagonisti i madh i sfidës me 33 pikë dhe 11 “rebound”, por, përtej shifrave të basketbollistit grek, dha kontribut edhe Eric Bladsoe me 28 pikë.

Një tjetër sfidë e madhe ishte ajo mes Denver Nuggets dhe Houston Rockets, që u mbyll 105-95. Tri fitore radhazi për Nuggets, që renditen tashmë në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit.

Paraqitje mbresëlënëse e Nikola Jokic, që e mbylli takimin me “double double”, 27 pikë dhe 12 “rebound”, ndërsa për Rockets, që ndërprenë serinë e fitoreve radhazi, nuk mjaftoi një James Harden normal, që shënoi 27 pikë, por as Russell Westbrook, që e mbylli takimin me 25 pikë.

Fitore edhe për Los Angeles Clippers, që mposhtën pas kohës shtesë 107-104 Boston Celtics, në takimin e parë ku luajtën bashkë Kawhi Leonard dhe Paul George. 25 pikë ishte kontributi i George, ndërsa Leonard u mjaftua me 17 pikë. Vendimtar edhe Lou Williams, që edhe pse erdhi nga pankina, shënoi plot 27 pikë, ndërsa për Celtics nuk mjaftuan 30 pikët e Jayson Tatum, autor i trepikëshit të barazimit final të kohës së rregullt.

Rezultatet:

Philadelphia 76ers-New York Knicks 109-104

Washington Wizards-San Antonio Spurs 138-132

Atlanta Hawks-Milwaukee Bucks 127-135

Brooklyn Nets-Charlotte Hornets 101-91

Dallas Mavericks-Golden State Warriors 142-94

Miami Heat-Cleveland Cavaliers 124-100

Toronto Raptors-Orlando Magic 113-97

Chicago Bulls-Detroit Pistons 109-89

Minnesota Timberwolves-Utah Jazz 95-103

Denver Nuggets-Houston Rockets 105-95

Los Angeles Clippers-Boston Celtics 107-104

(Kosova Sot Online)