Ndeshja gjysmëfinale Maqedoni-Kosovë do të luhet në këtë qytet

  • 21 January 2020 - 20:53
Ndeshja gjysmëfinale Maqedoni-Kosovë do të luhet në këtë qytet

Ndeshja gjysmëfinale e Ligës D të Ligës së Kombeve ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Kosovës edhe zyrtarisht është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Toshe Proeski Arena” në Shkup

Kështu ka bërë të ditur të martën sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Salihu ka njoftuar se pas takimit që kanë pasur të hënën me kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini, e kanë caktuar edhe hotelin ku do të vendoset Kombëtarja e Kosovës.

“Definitivisht është vendosur të luhet në Shkup. E kemi parë edhe hotelin ku do të vendosemi, e po ashtu kemi biseduar edhe rreth sigurisë. Kryetari Sejdini është shumë bashkëpunues dhe do të shoh mundësinë e rritjes së numrit të biletave dhe të na takojë tërë pjesa veriore e stadiumit”, ka thënë Salihu.

Ndeshja Maqedoni – Kosovë do të zhvillohet më 26 mars dhe në rast të fitores Kosova, më 31 mars, në finale do ta përballet si mysafire me fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinale Gjeorgji – Bjellorusi.

(Kosova Sot Online)