Sane kthehet në stërvitje, por Guardiola thotë se ai s’do të luajë edhe disa javë

  • 08 February 2020 - 10:31
Sane kthehet në stërvitje, por Guardiola thotë se ai s’do të luajë edhe disa javë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka paralajmëruar se anësorit gjerman Leroy Sane do t’i duhet edhe më shumë kohë për t’u kthyer në fushën e blertë, pasi është kthyer në stërvitje për herë të parë në gjashtë muaj shkaku i lëndimit në gjurin e djathtë.

Leroy Sane i kishte dëmtuar ligamentet e gjurit në ndeshjen e parë të sezonit 2019/20, në Community Shield kundër Liverpoolit në gusht. Ai ishte detyruar ta lë ndeshjen në gjysmë dhe iu pamundësua transferimi  në Bayern Munich.

Bayerni raportohet se është ende i interesuar ta transferojë Sanen, pasi që 24-vjeçari e ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme me Schalken, Manchester Cityn dhe Kombëtaren e Gjermanisë gjatë pesë vjetëve të fundit.

Manchester City do ta trajtojë me kujdesin procesin e kthimit të futbollistit në skuadër. Guardiola e ka bërë të qartë se Sanes do t’i jepet aq kohë sa t’i duhet për t’u kthyer në formë dhe se ky proces nuk do të përshpejtohet.

“Ai ka filluar të stërvitet me ne. Kur je lënduar, veçanërisht si Sane për gjashtë muaj, ke nevojë për kohë për ta rikthyer tempon, ritmin, vetëbesimin në trupin tënd, në gjurin tënd dhe të mos mendosh më për lëndimin”, ka thënë Guardiola.

“Ka nevojë për kohë. Nuk është si lëndim i kyçit të këmbës apo muskulor. Lëndimet në gju kanë gjithmonë nevojë për më shumë kohë për rikuperim. Atij i duhen edhe disa javë. Ajo që është e rëndësishme është se operacioni shkoi mirë dhe ai po shërohet mirë”.

“Ai do të kthehet edhe më i fortë sesa që ishte më parë, por për momentin i duhet edhe pak kohë”.

(Kosova Sot Online )