Xhaka kërkon t’i lejohet të sqarohet me tifozët

  • 25 February 2020 - 15:22
Xhaka kërkon t’i lejohet të sqarohet me tifozët

Mesfushori i Arsenalit, Granit Xhaka, ka kërkuar që klubet të jenë më të hapur ndaj tifozëve, në mënyrë që lojtarët të mund t’ua sqarojnë situatën atyre. Xhakës do t’i kishte kryer punë një mundësi e tillë gjatë këtij sezoni, kur e pati një incident me tifozët.

Përfaqësuesi zviceran me origjinë shqiptare kishte dashur të largohej nga klubi londinez në janar, pasi i ishte marrë shiriti i kapitenit sepse i kishte sharë tifozë gjatë një ndeshjeje, pasi që tifozët e kishin fishkëllyer atë.

Që nga atëherë, Xhaka ka premtuar se do të qëndrojë dhe do të luftojë për vendin e tij në Emirates, mirëpo e ka theksuar se dallimi në qasjen ndaj tifozëve mes klubeve në Gjermani dhe Angli ka kontribuar në problemin e tij.

“Unë e kuptoj se tifozët duan që lojtarët të performojnë në çdo ndeshje, por ata duhet edhe ta kuptojnë se kjo gjë nuk është gjithmonë e lehtë”, tha Xhaka, në një intervistë të dhënë për The Sun.

“Ky është dallimi më i madh mes Gjermanisë dhe Anglisë, sepse ne këtu s’kemi lidhje me tifozët. Në Gjermani ka më shumë seanca stërvitore të hapura, në të cilat tifozët mund të vijnë dhe të flasin me ty”.

“Këtu, gjithçka është e mbyllur dhe do të ishte mirë ta kishim mundësi për t’ia sqaruar njerëzve se pse diçka po shkon mirë ose pse nuk po shkon mirë”.

Xhaka më tutje insistoi se ai po e shijon futbollin sërish me trajnerin e ri, Mikel Artetan, dhe se mezi po e pret të ardhmen e tij me klubin.

“Unë ia kam bërë të qartë klubit se për aq kohë sa do të jem këtu, do të jem i gatshëm të jap gjithçka nga vetja. Unë stërvitem shumë dhe kjo e ka ndryshuar situatën time”, ka thënë Xhaka.

“Ky ka qenë çelësi i lumturisë për mua dhe me ndihmën e Mikelit dhe bashkëlojtarëve të mi, unë jam duke e shijuar të qenët lojtar i Arsenalit sërish”. 

(Kosova Sot Online)