Neymari akuzohet për homofobi, pas komenteve për të dashurin e nënës së tij

  • 10 June 2020 - 10:42
Neymari akuzohet për homofobi, pas komenteve për të dashurin e nënës së tij

Një aktivist brazilian për të drejtat e komunitetit LGBT pa bërë padi civile për homofobi ndaj Neymarit, pasi ylli i Paris Saint-Germainit iu drejtua të dashurit të nënës së tij me një fjalë ofenduese për homoseksualët, në disa komente që janë zbuluar nga mediumet braziliane.

Zyra e Prokurorit të Sao Paulos e konfirmoi për AFP se ka marrë një ankesë, që tani do të duhet të analizohet për të vendosur nëse do të nisë hetimet ndaj yllit brazilian të Paris Saint-Germainit.

Përfaqësuesit e Neymarit nuk pranuan ta komentojnë këtë ankesë. Ankesa u bë nga aktivisti Agripino Magalhaes, i cili tha në Instagram se ai do ta ankohet edhe për miqtë e Neymarit për “homofobi kriminale, gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime me vdekje” lidhur me disa komente që ata i kishin bërë në një bisedë private në një uebsajt të videolojërave.

Në një audio-incizim, Neymari dëgjohet duke përdorur terma ofendues për ta përshkruar të dashurin e nënës së tij, Tiago Ramosin, përderisa shokët e tij dhe ai e diskutojnë një zënkë mes çiftit.

Ramosi, 22-vjeçar, dhe nëna e Neymarit, 52-vjeçarja Nadine Goncalves, kishin bërë të ditur në prill se janë në lidhje. Mediumet braziliane pastaj kishin raportuar për një zënkë të dhunshme mes çiftit, pasi Ramosi ishte dërguar në spital nga shtëpia e nënës së Neymarit, të martën e kaluar me disa lëndime në krahë.

Neymari dëgjohet duke u thënë shokëve të tij se nëna e tij e kishte gënjyer familjen, pasi që ai nuk i besonte historisë së nënës së tij se Ramosi, i cili është biseksual, ishte rrëzuar shkallëve dhe e kishte prerë veten aksidentalisht.

Njëri ndër shokët e Neymarit pastaj dëgjohet duke thënë se ata duhet ta sulmojnë Ramosin me një fshesë në anus. 

(Kosova Sot Online)