Nga Hysaj te Xhaka të gjithë kërkojnë kualifikimin në E.League

  • 04 November 2015 - 12:02
Nga Hysaj te Xhaka të gjithë kërkojnë kualifikimin në E.League

Kjo e Enjte nuk do të jetë vetëm dita e Skënderbeut. Përvec se në takimin e korcarëve ndaj Sportingut, Europa League do të flasë pak shqip edhe në Azerbajxhan, Holandë, Itali, Portugali, Norvegji dhe Angli. Ditën e futbollistëve shqiptarë në Europa League do të hapë Ansi Agolli me Qarabagun e tij. Në orën 17:00 në Baku skuadra e mbrojtësit të Kombëtares Kuqezi do të sfidojë Monacon, në një ndeshje që do të vendosë shumë përsa i përket fateve të kualifikimit në grupin J, ku pas tre ndeshjeve të para kryesojnë francezët me 5 pikë. Ashtu si zakonisht, Agolli pritet ta nisë këtë ndeshje që nga minuta e parë. Dy orë më pas do të jetë radha e dy futbollistëve të tjerë shqiptarë. Herolind Shala do të jetë i impenjuar në takimin Groningen-Liberec. Në Holandë skuadra ceke me mesfushorin e Kombëtares Kuqezi në fushë do të kërkojë një fitore që do t’i jepte shanse të mëdha për t’u kualifikuar në Grupin F.

Në të njëjtën orë me Liberecin do të luajë edhe Napoli, skuadër ku aktivizohet Elseid Hysaj. Të kaltërit, të cilët kanë grumbulluar 9 pikë në 3 ndeshjet e para, do të presin në San Paolo danezët e Midtjylland për të siguruar matematikisht kualifikim. Nuk dihet nëse Hysaj do të luajë titullar apo do të ulet në stol nga Sarri, i cili pritej të bëjë një rotacion masiv në këtë ndeshje duke qenë se Napolit i mjafton vetëm 1 pikë për t’u kualifikuar. Ndoshta trajneri i të kaltërve mund ta ruajë mbrojtësin shqiptar për ta patur të freskët për ndeshjen e kampionatit ndaj Udineses që do të zhvillohet të Dielën.

Në orën 19:00 të kësaj të Enjteje do të zbresë në fushë edhe Paoku që do të sfidojë në Rusinë e largët, Krasnodarin. Megjithatë Ergys Kace nuk do të jetë i pranishëm në këtë sfidë pasi është i dëmtuar. Në orën 21:05 do të jetë momenti i Baselit, ekipit ku luajnë 4 futbollistë shqiptarë. Kampionët e Zvicrës do të sfidojnë në Portugali Belenensesin që dy javë më parë bëri surprizën e madhe duke fituar brenda në St Jakob Park. Por nga 4 lojtarët shqiptarë që militojnë te Baseli vetëm Taulant Xhaka pritet të zbresë në fushë, kjo edhe për faktin se Shkëlzen Gashi sipas asaj që ka bërë ditur klubi zviceran ka pësuar një dëmtim në këmbë. Ndërkohë Naser Aliji nuk është i përfshirë në listën e Europa Leagues pasi u rikthye me vonesë te Baseli pas huazimit disa mujor te Vaduzi.

Për Albianin Ajetin nuk parashikohet të ketë minuta në këtë ndeshje. Në të njëjtën orë në Grupin G Lazio do të sfidojë në transfertë Rosenborgun me Etrit Berishën që do ta nisë ndeshjen si titullar. Portieri shqiptar do të kërkojë të dhurojë një tjetër paraqitje si ajo e dy javëve më parë ndaj norvegjezëve, takim në të cilin priti edhe një penallti, për të fituar sa më shumë pikë në sytë e trajnerit Pioli. Ky i fundit pas gafave të Marcettit në ndeshjen ndaj Milanit po mendon t’i japë postin e portierit titullar edhe në Serinë A, Berishës. E enjtja e shqiptarëve mbyllet me Anderlechtin e Besnik Hasit. Trajnerin 43-vjecar e pret një ndeshje shumë e vështirë pasi do të përballet me Tottenhamin në Londër në një takim që do të vendosë shumë për fatet e kualifikimit në Grupin J.