Interit mund t’i mungojë Sanchez në gjysmëfinale, shkaku i lëndimit

  • S.A /
  • 11 gusht 2020 - 11:03
Interit mund t’i mungojë Sanchez në gjysmëfinale, shkaku i lëndimit

Alexis Sanchez është në dyshim për ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Evropës, pasi Interi e ka konfirmuar se kiliani pësoi lëndim gjatë çerekfinales kundër Bayer Leverkusenit.

Pasi hyri si zëvendësues në minutën e 64-t të ndeshjes në fitoren me rezultat 2:1, kiliani u detyrua ta linte ndeshjen para fundit, për të marrë trajtim mjekësor për një lëndim që e pësoi në këmbën e djathtë.

Interi e konfirmoi në llogarinë zyrtare në Twitter se Sanchez e pësoi një lëndim në këmbën e tij të djathtë dhe shtoi se gjendja e tij do të vlerësohet sërish para ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Evropës.

Sipas Transfermarkt, Sanchez ka munguar në 64 ndeshje gjatë karrierës së tij shkaku i lëndimeve, shumica prej të cilave lëndime në këmbë dhe në kyç.

Sanchez e kaloi të gjithë sezonin e kaluar i huazuar në San Siro nga Manchester Unitedit, ndërsa javën e kaluar u transferua në formë permanente.

Skuadra e Interit do të përballet ose me Shakhtarin ose me Baselin në gjysmëfinale të Ligës së Evropës. Se cila prej këtyre skuadrave do të jetë kundërshtari i tyre i ardhshëm, zikaltrit do ta mësojnë sot, kur zbulohen dy gjysmëfinalistët e fundit.

(Kosova Sot Online)