Dita e finales, Sevilla e Inter janë gati dhe kërkojnë trofeun

  • S.A /
  • 21 August 2020 - 12:02
Dita e finales, Sevilla e Inter janë gati dhe kërkojnë trofeun

Këtë të premte, në mbrëmje, Sevilla dhe Interi luajnë në Gjermani aktin e fundit të edicionit të 11-të në Europa League, për të kurorëzuar me sukses një sezon të gjatë, të lodhshëm dhe mbi të gjitha krejtësisht të pazakontë. Finalja e madhe e edicionit të 49 të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Kupat e Evropës vë përballë në këtë mënyrë dy skuadrat më të mira të sezonit dhe natyrisht edhe dy klubet që e vlerësuan më shumë këtë aktivitet. Një sezon vërtet shumë i ndryshëm, që u kushtëzua ndjeshëm nga pandemia e koronavirusit, madje në fund si për ironi të fatit në takimin përmbyllës do të përballen pikërisht dy skuadra si Sevilja dhe Interi, që nuk i zhvilluan fare ndeshjet e vajtjes në muajin mars, ndaj kundërshtarëve respektivë, Romës dhe Getafes, për shkak të frikës së përhapjes së virusit COVID-19 dhe masave të izolimit që morën qeveritë respektive në këto dy vende. Për rrjedhojë pas formatit të ri “final eight” në vendin teuton, të apasionuarit do të kenë mundësi për të shijuar një tjetër sfidë italo–spanjolle. Një finale e tillë mungonte që nga sezoni 1976-77 i Kupës UEFA, kur Juventusi pas triumfit 1-0 në Torino ia doli të fitojë trofeun falë rregullit të golit të shënuar në fushën kundërshtare, pasi në Spanjë “zonja e vjetër” u mund vetëm 2-1, në takimin e kthimit me Athletic Bilbaon.

Asokohe finalet zhvilloheshin me ndeshje vajtje–ardhje, gjithsesi historia e këtij kompeticioni ka ndryshuar vërtet shumë dhe që nga sezoni 1997-98 kur Interi mposhti Lacion 3-0 në Paris ky aktivitet ul siparin thjesht me një finale të vetme. Vetëm një vit pas suksesit të zikaltërve të Gigi Simoni-t, me treshen Ronaldo–Zamorano–Djorkaeff përpara Parma shkatëroi me po të njëjtat shifra Olimpikun e Marsejës në Moskë dhe që nga ajo kohë skuadrat italiane as që i i shin afruar trofeut të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës. Pra Interi përfaqëson pikërisht klubin e parë nga Apeninet që merr pjesë në një finale të këtij aktiviteti, në mijëvjecarin e ri. Sfidat italo–spanjolle tërheqin gjithmonë vëmendjen, për më tepër bëhet fjalë për një finale. Mbi të gjitha në këtë finale këto dy vende përfaqësohen me dy ndër klubet më të suksesshëm të këtij aktiviteti. Spanja ka dominuar, duke fituar plot 9 trofe gjithsej që nga viti 2000, e me një llogari të thjeshtë klubet nga kjo pjesë e gadishullit iberik pra kanë triumfuar praktikisht në pothuajse gjysmën e rasteve në mijëvjecarin e ri, në Kupën UEFA apo kompeticionin me formatin e ri Europa League.

Gjatë kësaj periudhe ka patur edhe finale gjithë spanjolle si Sevilla–Espanyol apo edhe Atletico Madrid–Athletic Bilbao, sidoqoftë vazhdimisht e pranishme në këtë aktivitet që nga viti 2005 ka qenë pikërisht skuadra andaluziane, deri në atë pikë sa për t’u shndërruar edhe në klubin më të lavdishëm të këtij kompeticioni. Interi krenohet me tre trofetë e fituar në vitet 90, arritje që e mban në pozita të njëjta klubin e famshëm lombard me Liverpulin, Juventusin dhe Atletikon e Madridit, por Sevilja me diferencë përfaqëson klubin më të suksesshëm, teksa ka fituar plot 5 herë në 15 vitet e fundit aktivitetin e dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës.

Kurioz është fakti që Sevilja dhe Interi nuk janë përballur kurrë më parë ndërmjet tyre, megjithatë kjo gjë mund të kishte ndodhur që sezonin e kaluar, kur dy ekipet ishin të pranishëm në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë të Europa League-s. Vitin e shkuar Sevilja dhe Interi ishin pozicionuar në pjesën e sipërme të shortit, megjithatë trajnerët respektivë Pablo Machin dhe Luciano Spalletti nuk është se e vlerësuan shumë këtë aktivitet dhe për pasojë dy klubet u eliminuan nga Slavia e Pragës dhe Eintracht-i i Frankfurtit që në fazën e 1/8.

Këtë herë ngjarjet rrodhën krejt ndryshe, ndoshta edhe prej faktit që timonin e drejtimit në këto skuadra e mbërthyen dy emra tjerë, me shumë më tepër ambicie se sa paraardhësit e tyre, si Julen Lopetegui dhe Antonio Conte. Dy klubet kanë patur një ecuri interesante dhe kanë mbërritur deri këtu, nga rrugë të ndryshme. Kështu Sevilja e nisi aventurën nga faza e grupeve në Europa League, me skuadra të tilla si Apoel, Qarabag dhe Dudelange, ndërsa Interi në anën tjetër u pozicionua në vendin e tretë në fazën e grupeve në Champions, me ekipe si Barcelona, Borusia Dortmund dhe Sllavia Pragë. Dy klubet ruajtën pozitat e tyre në kampionatet respektive, duke qenë gjatë gjithë kohës në katërshe dhe përmbushur me sukses objektivin për të përfunduar sezonin në Zonën Champions.

Në këtë mënyrë Interi e mbylli Serinë A në vendin e dytë, ndërsa Sevilla grumbulloi 70 pikë, praktikisht po aq pikë sa edhe Atletiko e Diego Simeones, që u klasifikua në vendin e tretë. Me vëmendjen në kampionatet respektive gjithsesi dy trajnerët ruajtën fokusin e duhur gjithashtu edhe në fazën e knock out-it të këtij aktiviteti. Për hir të së vërtetës zikaltërit kanë patur një rrugëtim shumë më të thjeshtë për të mbërritur deri në finalen e madhe. Skuadra e Kontes eliminoi me radhë ekipe si Ludogorets, Getafe, Bayer Leverkusen, ndërsa në fazën gjysmëfinale Interi shkatërroi 5-0 klubin ukrainas Shakhtar Donetsk, duke regjistruar në këtë mënyrë edhe fitoren më të thellë të këtij aktiviteti në këtë fazë. Në krahun tjetër skuadra e Lopetegit pasi vuajti për të eliminuar vetëm në sajë të golit në fushë kundërshtare ekipin rumun CFR Cluj, kaloi me radhë me tek ndeshje kundërshtarë si Roma ,Wolverhampton dhe Manchester United. Me përbërjen e tyre “djajtë e kuq” konsideroheshin si ekipi favorit i këtij edicioni, megjithatë Sevilja diti të kthehej nga disavantazhi për të përmbysur gjithcka, falë një goli të realizuar nga sulmuesi holandez Luuk De Jong 12’ para përfundimit. Po në 78’ një ditë më pas sulmuesi gjigant i zikaltërve Romelu Lukaku e coi në 10 numrin e ndeshjeve radhazi, kur ia ka dalë mbanë për të shënuar në këtë aktivitet, madje 27-vjecari me origjinë kongoleze tundi rrjetën sërish, për t’u ngjitur në kuotën e 6 golave të shënuar, në vetëm 353’ gjithsej, ndërsa në krahun tjetër spikat Munir El Haddadi me 5 gola në 426’ në total.

Sevilja ka favorin që ka pushuar një ditë më tepër, sidoqoftë zikaltërit zbresin në fushë si favoritë dhe tepër të uritur për sukses. Trofeun e fundit Interi e ka fituar 9 vjet më parë, në Stadio Olimpico kur nën drejtimin e Leonardos ekipi mposhti 3-1 Palermon në finale, për të triumfuar në Kupën e Italisë. Kjo është finalja e 6 për Seviljen në këtë aktivitet, dy më shumë se cdo klub tjetër, ndërkohë Interi u bë klubi i nëntë me dhjetë finale në historinë e Kupave të Evropës, gjithsesi skuadra andaluziane ka fituar radhazi 5 finalet e fundit që ka luajtur në Kontinentin e Vjetër. Te Interi mungon vetëm Vecino, ndërsa në krahun tjetër është riaftësuar edhe mesfushori Nemanja Gudelj, sidoqoftë ish-mesfushori i Interit Ever Banega do të luajë ndeshjen e fundit për Seviljen, pas marrëveshjes për të kaluar në ligën Saudite, me klubin kryeqytetas të Al Shabab-it.

Sevilja ka fituar 8 nga 9 sfidat e fundit, 7 prej tyre pa pësuar as gol dhe ekipi i Lopetegit numëron plot 20 ndeshje pa humbje në të gjithë kompeticionet, ndërsa Interi ka humbur vetëm 1 nga 17 takimet e fundit në të gjithë aktivitetet, por sidoqoftë edhe mbrojtja zikaltër në 7 nga 9 ndeshjet e fundit e ka ruajtur portën të paprekur. Dy skuadrat kanë mënyra të ndryshme loje dhe Sevilja si skuadër spanjolle mbetet një ekip tepër dinak, që shfrytëzon më së miri kundërsulmin, ndërsa Interi përfaqëson një skuadër fizke dhe më autoritare, së cilës i pëlqen që t’i imponojë lojën kundërshtarit, gjithsesi interesant është gjithashtu edhe fakti që me 25 golat e realizuar me kokë në të gjithë kompeticionet, ekipi milanez mbetet edhe klubi që ka shënuar më shumë gola në lojën në ajër nga skuadrat e 5 kampionateve më të rëndësishëm në Evropë.

Sevilja ka fituar radhazi 3 sfidat e fundit me skuadrat italiane, ndërsa zikaltërit kanë bilanc negativ teksa kanë fituar 14 dhe humbur plot 18, nga 43 përballjet ndërmjet tyre, për më tepër përpara fitores tepër të vuajtur me Getafe-n në Kupat e Evropës Interi kishte humbur plot 4 nga 5 sfidat e fundit me klubet nga Spanja. Takimi final do të fillojë në orën 21:00 në RheinEnergieStadion të Këlnit dhe do të drejtohet nga kryesori holandez Danny Makkelie.

(Kosova Sot Online )