Ndodh edhe kjo, një futbollist i Prishtinës e kishte COVID-in, del pozitivë pas shërimit

  • G.G /
  • 22 August 2020 - 19:28
Ndodh edhe kjo, një futbollist i Prishtinës e kishte COVID-in, del pozitivë pas shërimit

Çështja e ndeshjes Lincoln-FC Prishtina ka ngritur kontradikta të shumta nëpër media sot

Sipas një komunikatë të FC Prishtinës, një futbollistë i saj e kishte COVID-19 para katër jave dhe se ai ishte shëruar, por që në testimet e bëra në Gjibraltar ai ka rezultuar pozitivë.

Kjo është edhe arsyeja pse FC Prishtina ka thënë se do të testojë tetë lojtarët e saj pozitivë në laboratorët e licencuar të UEFA-së pasi të kthehet në Prishtinë.

FC Prishtina pritet që të kthehet sonte dhe mandej tetë lojtarët do të udhëtojnë për Shkup ose Tiranë ku do të testohen në laboratorin e licencuar te UEFA, SYNLAB.

“FC Prishtina, ka dërguar në UEFA edhe formacionin e mundshëm startues, pjesë e të cilit kanë qenë 10 futbollistë që kanë testuar negativ dhe 1 që sot ka testuar pozitiv, por që paraprakisht e ka kaluar COVID-19, para rreth 1 muaji, duke e bërë kështu shumë të çuditshëm testimin në Gjibraltar”, thuhet në komunikatën e klubit prishtinas.

“Klubi ka shprehur gatishmërinë në UEFA që ndeshjen ta zhvillojë edhe pa zëvendësime, përkatësisht pa përfshirjen në lojë të asnjërit prej 7 futbollisteve tjerë që testuan sot pozitiv. Të gjithë 8 futbollistët që kanë testuar pozitiv në Gjibraltar, me t’ u kthyer në Kosovë, klubi do t’ i dërgojë në testim në laboratorët e licencuara nga UEFA, SynLab në Shkup, apo në Tiranë”, thuhet në fund të komunikatës.

Për fatin e kësaj ndeshje pritet të vendos Komiteti për Disiplinë i UEFA-së.

Nëse lojtarët që u testuan pozitivë në Gjibraltar, dalin negativë në laboratorët e UEFA-së, atëherë vendimi për këtë ndeshje do të jetë shumë i vështirë edhe nga UEFA, pasi që FC Prishtina dy herë ka dashur ta zhvillojë ndeshjen, pavarësisht se në përbërjen e saj nuk kishte lojtarë të mjaftueshëm. 

(Kosova Sot Online)