FIFA ka refuzuar një kërkesë të Federatës Franceze

  • A.P /
  • 27 June 2026 - 15:30
FIFA ka refuzuar një kërkesë të Federatës Franceze

FIFA ka refuzuar një kërkesë të Federatës Franceze të Futbollit para ndeshjes së Kupës së Botës mes Francës dhe Norvegjisë, duke mos lejuar futbollistët francezë të mbanin shirita të zinj në krah në shenjë respekti për nënën e ndjerë të trajnerit Didier Deschamps.

Franca e mbylli fazën e grupeve me një fitore bindëse 4-1 ndaj Norvegjisë, duke siguruar vendin e parë në grup. Megjithatë, para ndeshjes, vëmendja ishte te mungesa e Deschamps, i cili kishte lënë grumbullimin e kombëtares për të qenë pranë familjes pas ndarjes nga jeta të nënës së tij.

Federata Franceze kërkoi nga FIFA leje që lojtarët të zbrisnin në fushë me shirita të zinj në krah, por kërkesa u refuzua.

Sipas The Athletic, fillimisht ishte planifikuar të mbahej një minutë heshtje, por më vonë u sqarua se ceremonia ishte organizuar paraprakisht në nderim të viktimave të tërmetit në Venezuelë. Për këtë arsye, Franca kërkoi të paktën të lejohej të mbante shirita zie, por edhe kjo kërkesë nuk u pranua nga FIFA.

(Kosova Sot Online)