Spanja ka siguruar vendin e parë në grup
Uruguai i ka dhënë fund aventurës në Kupën e Botës 2026, pasi u mposht me rezultat minimal 1-0 nga Spanja në ndeshjen e fundit të Grupit H, të zhvilluar në Guadalajara.
Me këtë humbje, dy herë kampionët e botës eliminohen pa fituar asnjë ndeshje, ndërsa Spanja siguron vendin e parë në grup dhe kualifikohet në fazën e 1/32-ave.
Spanja krijoi rastin e parë që në minutën e dytë, kur goditja e Mikel Oyarzabalit u devijua në rrjetën e jashtme. Më pas loja u zhvillua me pak raste, ndërsa mundësinë më të mirë për Uruguain e pati Federico Valverde, por Darwin Núñez nuk arriti të devijonte topin pas një pasimi të rrezikshëm në zonë.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 42-të. Pas një asistimi të Lamine Yamalit, Álex Baena goditi nga afër me një goditje jo shumë të fortë, por portieri Fernando Muslera bëri një gabim të rëndë, duke e lënë topin t’i rrëshqasë nga duart dhe t’i dhurojë avantazhin Spanjës para pushimit.
Trajneri Marcelo Bielsa reagoi menjëherë në pjesën e dytë, duke zëvendësuar Muslerën me Sergio Rochet. Më herët, Uruguai kishte humbur edhe Manuel Ugarten për shkak të një dëmtimi serioz, ndërsa pak para orës së lojës u zëvendësua edhe kapiteni Valverde.
Megjithatë, ndryshimet nuk sollën efektin e dëshiruar. Spanja kontrolloi ritmin e lojës, ndërsa Lamine Yamal vazhdoi të ishte kërcënimi kryesor në sulm. Në minutën e 70-të ai depërtoi bukur në krah, por Mathías Olivera ndërhyri në momentin e fundit për të shmangur golin e dytë. Nga ana tjetër, Nicolás de la Cruz provoi nga distanca, por portieri Unai Simón ishte i vëmendshëm.
Në minutat e fundit, Ferran Torres humbi një rast të artë për ta vulosur fitoren, pasi tentoi të parabolonte Rochetin, por topi u përplas në traversë.
Pavarësisht kësaj, Spanja ruajti epërsinë minimale dhe e mbylli fazën e grupeve në vendin e parë. Ndërkohë, Uruguai e përfundoi turneun në vendin e tretë me vetëm dy pikë dhe pa asnjë fitore, ndërsa zhgënjimi u reflektua edhe në minutat shtesë, kur Agustín Canobbio u ndëshkua me karton të kuq pas një reagimi të nxitur nga frustrimi.
(Kosova Sot Online)
