Mërgim Vojvoda transferohet në Serie A

  • A.P /
  • 24 August 2020 - 21:12
Mërgim Vojvoda transferohet në Serie A

Mbrojtësi i djathtë i Përfaqësueses së Kosovës, Mërgim Vojvoda është gati për të bërë një hap të madh në karrierën e tij, pasi burime për Supersport konfirmojnë se është arritur marrëveshja për transferimin në Serinë A.

Të njëjtat burime konfirmojnë se mbrojtësi 25-vjeçar ka një akord të plotë me klubin e Torinos dhe nesër pritet të udhëtojë për të qytetin italian për të kryer vizitat mjekësore të rastit, para se të hedhë firmën mbi kontratë.
Momentalisht nuk bëhen të ditura detajet e transferimit, ndërsa konfirmohet se klubi italian ka tashmë marrëveshjen jo vetëm me Vojvodën, por edhe klubin belg të Standard Liezhit, që ka autorizuar mbrojtësin të udhëtojë drejt Torinos për të kompletuar transferimin.

Mërgim Vojvoda është rritur te të rinjtë e Standardit, por ka shtegtuar në klube të shumta si Carl Zeiss Jena, Sint-Truidense e Mouscron, para se të rikthehej sërish në Liezh verën e kaluar dhe të shndërrohej në titullar të padiskutueshëm.

Mbrojtësi i djathtë 25-vjeçar është titullar edhe në formacionin e përfaqësueses së Kosovës, me të cilën numëron 24 takime dhe një gol të shënuar, ndërsa më herët ka veshur edhe fanellën e Shqipërisë U21, për plot 7 takime.

Te skuadra e Torinos Vojvoda do të gjejë një tjetër futbollist të Përfaqësueses së Kosovës, portierin Samir Ujkani, i cili rinovoi kontratën për të qëndruar edhe një tjetër sezon si zëvendësuesi i parë i italianit Sirigu.

(Kosova Sot Online)