Në mënyrë që të hiqen të gjitha dilemat rreth projektit të gazit amerikan është i nevojshëm një debat parlamentar

Në mënyrë që të hiqen të gjitha dilemat rreth projektit të gazit amerikan është i nevojshëm një debat parlamentar
Në mënyrë që të hiqen të gjitha dilemat rreth projektit të gazit amerikan është i nevojshëm një debat parlamentar

Florim Zeqa

  • 17 June 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Ani pse projekti i gazit amerikan është refuzuar në vazhdimësi që nga viti 2021, ende nuk është dhënë një arsyetim i qartë publik, si dhe nuk është bërë transparente as strategjia e gazifikimit të thëngjillit vendor!. Në këtë mjegull të krijuar artificialisht, e kemi të vështirë ta kuptojmë nëse kemi të bëjmë me një vendim strategjik dhe të argumentuar të Qeverisë apo me një qasje ideologjike të kryeministrit Albin Kurti ndaj SHBA-ve dhe investimeve amerikane në Kosovë!

 

-Përderisa Qeveria refuzon gazin amerikan duke përmendur alternativa të tjera energjetike, ende nuk ekziston asnjë studim fizibiliteti për gazifikimin e thëngjillit vendor!

Prandaj, strategjia energjetike e Qeverisë së Kosovës është e paqëndrueshme dhe pak e besueshme!

Në mënyrë që të hiqen të gjitha dilemat rreth projektit të gazit amerikan, është më se i nevojshëm një debat parlamentar, për të shmangur çdo ndikim të propagandës së politikës ditore!

Në anën tjetër, presim që edhe Ambasada Amerikane të na informojë për këtë projekt tepër të rëndësishëm për vendin, si dhe të na informojë se çfarë mund të bëjmë ne që të mos e humbasim këtë mundësi të artë për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Siç dihet, projekti i gazit amerikan ishte në diskutim para ardhjes së Albin Kurtit në pushtet!

Mirëpo, as atëherë dhe as sot nuk janë dhënë informacione të duhura rreth përfitimeve që mund t’i ketë Kosova nga ky projekt madhor!

Prandaj, nuk është koha dhe as momenti të refuzohet një projekt për të cilin tash e një dekadë po diskutohet si projekt i gazit amerikan.

Me të filluar punën Legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës, duhet të iniciohet një debat parlamentar për t’i sqaruar deri në fund rrethanat e refuzimit të gazit amerikan.

Për më tepër, për këtë projekt madhor duhet të vendosë Kuvendi e jo Qeveria, e aq më pak grupet e interesit apo individë të caktuar me ndikime ideologjike!

Ngase ky projekt është tepër i rëndësishëm për ekonominë dhe strategjinë afatgjatë të zhvillimit të vendit tonë në të gjitha segmentet, gazi për të cilin po flasim nuk është rus, por amerikan dhe është i ndërlidhur drejtpërdrejt me sigurinë dhe prosperitetin e Kosovës si vend i lirë dhe demokratik.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".