Kombëtarja e Shqipërisë e publikon programin për ndeshjet e Ligës së Kombeve

  • A.P /
  • 30 August 2020 - 11:55
Kombëtarja e Shqipërisë e publikon programin për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Pas shpalljes së listës për dy ndeshjet e Nation League kundër Bjellorusisë dhe Lituanisë, trajneri Edi Reja ka përpiluar dhe programin sa i përket grumbullimit kuqezi për këto dy sfida.

Trajneri italian ka parashikuar që ekipi të grumbullohet në resortin “Tropikal” në Durrës si zakonisht, ndërsa stërvitjen e parë ta zhvillojë këtë të hënë në orën 10:30 minuta.

Gjatë ditës do të ketë dy stërvitje ditore, ku ajo e pasdites është parashikuar në orën 17:30, ndërsa konferenca për shtyp në orën 13:45 minuta. Dita e dytë ka në program vetëm një seancë stërvitore, e ndjekur nga stërvitja e së mërkurës në orën 10:30, përpara se ekipi në orën 16:00 të fluturojë drejt Minskut për ndeshjen me Bjellorusinë.

Në kryeqytetin e Bjellorusisë është parashikuar konferenca në orën 17:45 të të enjtes dhe stërvitja 30 minuta më pas në stadiumin e ndeshjes që do të luhet në orën 20:45 të së premtes.

Me kthimin e ekipit nga Bjellorusia të shtunën, skuadra do të zhvillojë një stërvitje në “Selam Stërmasi” në orën 17 e 30 ndërsa mbetet e pandryshuar konferenca në orën 13:45 në “Air Albania Stadium”.

Edhe një ditë përpara ndeshjes me Lituaninë kombëtarja do të stërvitet në “Air Albania Stadium” në orën 17:30, ndërsa në orën 17:00 do të zhvillohet konferenca për shtyp e trajnerit dhe kapitenit të ekipit.

Sfida me Lituaninë është parashikuar të luhet në orën 20:45 të datës 7 shtator, ndërsa të gjitha seancat stërvitore të kuqezinjve do të jenë të hapura për mediat në 15 minutat e para.

Image

(Kosova Sot Online)