Arsenal ka arritur një marrëveshje
Arsenal ka arritur marrëveshje për transferimin e talentit të ri Jeremy Monga, duke mposhtur konkurrencën e klubeve të mëdha si Manchester United, Liverpool dhe Manchester City.
Sipas raportimeve, “Topçinjtë” kanë rënë dakord me Leicester City për një dëmshpërblim prej rreth 10 milionë funtesh për anësorin 16-vjeçar, i cili konsiderohet si një nga talentet më premtues të futbollit anglez.
Monga tërhoqi vëmendjen e shumë klubeve elitare pas paraqitjeve të tij me Leicesterin sezonin e kaluar, ku zhvilloi 27 ndeshje në Championship dhe shënoi golin e tij të parë në futbollin profesionist kundër Preston North End.
Edhe pse nuk pritet të bëhet menjëherë pjesë e ekipit të parë të Arsenalit, ai ka fituar tashmë përvojë të konsiderueshme për moshën që ka.
Trajneri Mikel Arteta njihet për besimin që u jep lojtarëve të rinj, pasi më parë ka promovuar emra si Ethan Nwaneri dhe Max Dowman në ekipin e parë që në moshën 15-vjeçare.
Ish-trajneri i Leicesterit, Martí Cifuentes, e kishte vlerësuar lart Mongan pas golit të tij të parë me ekipin senior.
“Ai është një djalosh shumë i talentuar dhe jashtëzakonisht i përulur. Punon shumë, dëshiron të mësojë dhe të përmirësohet vazhdimisht. Ka karakter dhe personalitet, prandaj besojmë se mund të bëhet një lojtar i madh në të ardhmen”, kishte deklaruar Cifuentes.
Ky pritet të jetë transferimi i parë i Arsenalit në afatin kalimtar veror, teksa kampionët e Anglisë synojnë të forcojnë skuadrën për sezonin e ri.
(Kosova Sot Online)
