Ja kush i ka dërguar një mesazh të qartë Rashfordit

  • A.P /
  • 22 June 2026 - 15:30
Ja kush i ka dërguar një mesazh të qartë Rashfordit

Legjenda e Anglisë, John Barnes, i ka dërguar një mesazh të qartë Marcus Rashford, duke e paralajmëruar që të mos e përdorë Kupën e Botës si vitrinë për një transferim të ri, por të përqendrohet te suksesi i kombëtares angleze.

E ardhmja e Rashfordit mbetet e paqartë pas rikthimit nga huazimi te FC Barcelona, ku pati një sezon pozitiv me 14 gola dhe fitoi La Ligën dhe Superkupën e Spanjës.

Megjithatë, Barcelona vendosi të mos e blejë përfundimisht sulmuesin anglez, ndërsa largimi nga Manchester United duket ende një mundësi reale.

Barnes beson se Rashford nuk duhet të mendojë për interesimin e klubeve gjatë Botërorit.

“Anglia duhet të luajë mirë si ekip. Nëse Rashford mendon vetëm për veten dhe për të tërhequr vëmendjen e klubeve të tjera, kjo nuk do ta ndihmojë Anglinë. Nëse përpiqet të driblojë vazhdimisht apo të bëjë gjëra vetëm për t’u dukur mirë individualisht, kjo nuk të fiton Kupën e Botës”, deklaroi ai.

Sipas ish-mesfushorit anglez, trajneri Thomas Tuchel nuk është i interesuar që Rashford të promovojë veten, por që të luajë sipas nevojave të skuadrës.

“Ajo që ka rëndësi është që ai të luajë mirë për Anglinë. Talenti i tij nuk vihet në diskutim, por gjithmonë është folur për qëndrimin dhe përkushtimin e tij. Këto janë gjërat më të rëndësishme”, shtoi Barnes.

Rashford kontribuoi në fitoren 4-2 të Anglisë ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse të Botërorit, duke shënuar golin e katërt pas një aksioni të bukur të Bukayo Saka.

(Kosova Sot Online)