Ja futbollisti që mund t’ia prish planet Amerikës
Shtetet e Bashkuara konsiderohen favoritët kryesorë në Grupin D të Kupës së Botës, por Australia beson se mund t’ua prishë festën vendasve falë një talenti të jashtëzakonshëm: Nestory Irankunda.
Amerikanët do të përballen me australianët në Seattle, në një ndeshje ku shumë analistë vendas i shohin “Socceroos” si kundërshtarë të lehtë. Ish-lojtari i SHBA-së, Mike Grella, madje deklaroi se nëse amerikanët nuk arrijnë ta mposhtin Australinë, më mirë të mos marrin pjesë fare në turne. Edhe legjenda Landon Donovan parashikoi se Australia do të përfundojë e fundit në grup.
Megjithatë, australianët janë mësuar të sfidojnë parashikimet. Në Botërorin e vitit 2022 ata arritën deri në fazën e 1/8 së finales, ku u eliminuan nga Argjentina e Lionel Messit, skuadra që më pas fitoi trofeun.
Shpresa më e madhe e Australisë është Nestory Irankunda. Talenti 20-vjeçar, i lindur në Adelaide, po shkëlqen me paraqitjet e tij dhe konsiderohet një nga lojtarët më të rrezikshëm të brezit të ri. Shpejtësia, driblimet dhe goditjet e fuqishme nga distanca e kanë bërë atë një makth për mbrojtësit kundërshtarë.
Irankunda vjen në këtë turne me pesë gola në 13 ndeshje për kombëtaren australiane dhe ka shënuar në dy paraqitjet e fundit. Ai shihet si lojtari që mund ta ndryshojë fatin e një ndeshjeje brenda pak sekondash.
Nga ana tjetër, SHBA-ja mbështetet te yje si Christian Pulisic dhe gëzon avantazhin e fushës vendase. Megjithatë, Australia ndihet më komode kur hyn në ndeshje si nënvlerësuar dhe beson se mund të shkaktojë një nga surprizat më të mëdha të turneut.
Nëse Irankunda vazhdon formën e tij të shkëlqyer, festa e planifikuar nga amerikanët mund të mos shkojë sipas skenarit.
(Kosova Sot Online)
