Presidenti i Napolit i infektuar me Covid-19 merr pjesë në një takim pa maskë

  • S.A /
  • 10 September 2020 - 10:25
Presidenti i Napolit i infektuar me Covid-19 merr pjesë në një takim pa maskë

Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, ka dalë pozitiv në testin për Covid-19, vetëm një ditë pasi mori pjesë në një takim të ligës elitare italiane, Lega Serie A, edhe pse kishte simptoma.

Në takimin e djeshëm morën pjesë presidentët e 20 klubeve të Serie A, për të biseduar për shndërrimin e ligës në kompani mediale.

Napoli konfirmoi në një komunikatë për media se Laurentiis është infektuar me koronavirus.

Mediat italiane po e akuzojnë shefin e Napolit se i ka rrezikuar të tjerët duke marrë pjesë në takim i vetëdijshëm për simptomat e virusit.

Sipas tyre, De Laurentiis kishte simptoma disa ditë më radhë dhe e kishte bërë testin, por nuk e kishte pritur rezultatin para se të merrte pjesë në takim.

Sikur ajo mos të mjaftonte, ai nuk e kishte vendosur maskën gjatë gjithë kohës kur kishte biseduar me presidentët e tjerë, e as kur kishte folur para gazetarëve pas takimit.

Të gjithë presidentëve të klubeve të Serie A që morën pjesë në takim, do t’iu kërkohet të testohen për koronavirus. Sezoni i ri 2020/21 në Serie A është përcaktuar të nisë më 19 shtator.

(Kosova Sot Online )