“Havertz është Johan Cruyffi modern”

  • S.A /
  • 26 shtator 2020 - 09:10
“Havertz është Johan Cruyffi modern”

Mesfushori i Chelsea, Kai Havertz, është një version modern i legjendarit holandez, Johan Cruyff. I këtij mendimi është Ralf Rangnick, meaxheri i famshëm gjerman, i cili e ka parë si kundërshtar 21-vjeçarin Havertz gjatë kohës që ishte në krye të Leipzigut, ku shërbeu si menaxher dhe drejtor sportiv në sezonet e fundit.

Pas një nisjeje të përgjumur në kampionat (luajti titullar, por u zëvendësua nga Lampard si ndaj Brightonit ashtu dhe ndaj Liverpoolit), Havertz shpërtheu të mërkurën me një tregolësh kundër Barnsley-t në Carabao Cup.

Rangnick beson se për këtë lojtar të talentuar kufiri është qielli, duke e krahasuar atë me një njeri që u bë legjendë me kombëtaren holandeze, Ajaxin dhe Barcelonën.

“Nuk kam asnjë dyshim se ai do të ketë sukses dhe do të bëhet një nga lojtarët më të mirë brenda dy ose tri viteve të ardhshme,” – tha Rangnick për Sky Sports. – “Ndoshta do t’i duhen disa javë për t’u përshtatur, sepse ai ka një “background” familjar fantastik. E njoh mirë, sepse jam përpjekur ta marr te Leipzigu, por ai ishte plotësisht i përkushtuar ndaj Bayer Leverkusenit.

Ai është një nga ata lojtarë të cilit nuk e gjen ndonjë dobësi në lojën e tij. Është një Johan Cruyff modern, mund të shënojë gola dhe të sigurojë asiste.”

Havertz u transferua në “Stamford Bridge” nga Bayer Leverkusen në verë për një shumë fillestare prej 62 milionë stërlinash (79 milionë dollarë). Kuptohet që pritshmëritë mbi atë që mund të japë talenti gjerman në Premier League janë të larta.

(Kosova Sot Online )