Kosovës i shtohen telashet, mungojnë edhe tre “yje” ndaj Greqisë

  • G.G /
  • 13 October 2020 - 12:18
Kosovës i shtohen telashet, mungojnë edhe tre “yje” ndaj Greqisë

Kombëtarja e Kosovës vazhdon të ketë probleme me lëndime.

“Dardanët” i zhvilluan ndeshjet me Maqedoninë e Veriut dhe Slloveninë me tetë mungesa, nëse llogaritet edhe mosftesa e Bernard Berishës.

Sikur të mos mungonte kjo.

Federata e Futbollit të Kosovës njofton se në Athinë me ekipin sot nuk kanë udhëtuar Valon Berisha, Arbër Zeneli e Edon Zhegrova.

“Pas ekzaminimeve mjekësore në mëngjes u konstatua se ata nuk janë në gjendje të luajnë në ndeshjen kundër Greqisë”, shkruan shtëpia e futbollit kosovar.

Mungesa e Berishës, Zenelit e Zhegrovës e çon në 10 numrin e mungesave te Kosova për këtë përballje.

Kosova është nisur sot për në Athinë, ku nesër mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen kundër Greqisë në kuadër të Grupit 3 të Ligës C në Ligën e Kombeve.

(Kosova Sot Online)