Shërohen dy prej gjashtë futbollistëve të prekur me Covid-19 në Inter

  • A.P /
  • 18 tetor 2020 - 09:44
Shërohen dy prej gjashtë futbollistëve të prekur me Covid-19 në Inter

Pas Alessandro Bastonit edhe Radja Nainggolan është shëruar nga koronavirusi dhe do të jetë në gjendje të paraqitet për Interin në ndeshjen e ardhshme.

Bastoni dhe Nainggolan munguan për Interin në humbjen 2:1 kundër Milanit në derbin e së shtunës në Serie A, për shkak të virusit.

Por ata do të jenë në dispozicion të Antonio Contes për ndeshjen e së mërkurës kundër Monchengladbach në Ligën e Kampionëve.

Testimi i fundit që ka kryer belgu, ka rezultuar negativ, ndërsa lajmin e ka dhënë vetë numri 44 i zikaltërve nëpërmjet një postimi në Instagram, ku nuk ngurron të inkurajojë edhe shokët e tij të skuadrës.

Interi u paraqit në derbi me 8 mungesa të rëndësishme, 6 prej të cilave për shkak të koronavirusit, një për pezullim e një tjetër për dëmtim, por për sfidën e të mërkurës në Ligën e Kampionëve, zikaltrit do të kenë në dispozicion të paktën edhe Bastonin e Nainggolan.

Që të dy këta futbollistë mund të nisin stërvitjen nën urdhrat e Contes nga sot, ndërsa tekniku zikaltër shpreson që deri të hënën të rikuperojë edhe futbollistë të tjerë si Radu, Young, Gagliardini e Skriniar, me këtë të fundit që vijon të jetë në izolim më Sllovaki.

(Kosova Sot Online)