Gazeta spanjolle me shkrim racist, e quan Fatin “shitës zezak që ia mbath me të katra sapo t’i shohë policët”

  • S.A /
  • 22 tetor 2020 - 09:25
Gazeta spanjolle me shkrim racist, e quan Fatin “shitës zezak që ia mbath me të katra sapo t’i shohë policët”

Gazeta nacionale spanjolle, ABC, ka bërë komente raciste në raportin e saj për ndeshjen mes Barcelonës dhe Ferencvaros në Ligën e Kampionëve, duke e krahasuar Ansu Fatin me “shitës i rrugës zezak i cili ua mbath këmbëve sapo t’i shohë policët duke ardhur”.

Fati pati një mbrëmje tjetër mbresëlënëse në Ligën e Kampionëve të martën, duke shënuar në fitoren 5:1 të Barcelonës kundër klubit hungarez në Camp Nou.

Në raportin e saj për takimin e së martës, ABC përdori gjuhë raciste dhe fyese ndaj adoleshentit spanjoll.

“Ansu ishte afër të shënonte me një goditje të një sulmuesi tipik, duke u rrokullisur në mënyrë të përkryer”, shkroi ABC në raportin e saj.

E përditshmja spanjolle pastaj përdori gjuhë fyese ndaj tij: “Ansu ka një ngjashmëri me gazelë kur vrapon. Ai duket si një shitës i rrugës zezak i ri në moshë, të cilin mund ta shohësh duke ia mbathur këmbëve në Paseo de Gracia (sheshin kryesor në Barcelonë) duke bërtitur ‘ujë, ujë’, kur t’i shohë policët duke ardhur”.

17-vjeçari është duke lënë mbresa të mëdha me paraqitjet e tij përkrah Lionel Messit në ekipin e parë të Barcelonës.

Ai ka zënë vend në sulmin e katalonasve pavarësisht konkurrencës së fortë nga Antoine Griezmann dhe Ousmane Dembele.

Formë të lartë Fati po tregon edhe për ekipin kombëtar të Spanjës.

(Kosova Sot Online )