Pogba e lë Kombëtaren franceze, pasi Macron tha se islami është burim i terrorizmit, sipas The Sun

  • G.G /
  • 26 tetor 2020 - 10:21
Pogba e lë Kombëtaren franceze, pasi Macron tha se islami është burim i terrorizmit, sipas The Sun

Paul Pogba e ka braktisur Kombëtaren e Francës, pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se islami është gjoja burim i terrorizmit ndërkombëtar.

Mesfushori i Manchester Unitedit thuhet ta ketë marrë vendimin për të hequr dorë nga kombëtarja pas komenteve të liderit të vendit të premten.

Thuhet se prapa vendimit të tij qëndron edhe vendimi i qeverisë franceze për ta nderuar mësuesin i cili publikoi fotografi fyese të profetit Mohamed, të cilat e kanë hidhëruar dhe zemëruar Pogban, sipas tabloidit britanik The Sun.

Kjo sipas burimeve të tabloidit britanik, pasi as Federata e Futbollit të Francës e as vetë 27-vjeçari nuk kanë komentuar rreth këtyre thashethemeve.

Mësuesi Samuel Paty u sulmua rrugës për në shtëpi dhe iu hoq koka për shkak të fotografive të profetit.

Presidenti Macron e përshkroi vrasjen si sulm terrorist islamik i cili ia mori jetën mësuesit francez.

“Të qenët të bashkuar dhe të palëkundur janë përgjigjet e vetme ndaj monstruozitetit të terrorizmit islamik”, kishte thënë Macron.

Pogba thuhet t’i ketë vlerësuar komentet e Macronit si fyerje ndaj tij dhe ndaj myslimanëve francezë, posaçërisht duke e parë se islami është feja e dytë në Francë pas krishterimit.

(Kosova Sot Online)