“Dybala është Messi i ri dhe duhet t’i bashkohet Real Madridit”

  • S.A /
  • 11 November 2020 - 11:56
“Dybala është Messi i ri dhe duhet t’i bashkohet Real Madridit”

“Dybala është Messi i ri dhe duhet t’i bashkohet Real Madridit”

Paulo Dybala është Lionel Messi i ri dhe duhet t’i bashkohet Real Madridit, sipas ish-presidentit të Palermos, Maurizio Zamparini, i cili thotë se argjentinasi duhet ta kërkojë largimin nga Juventusi në janar.

E ardhmja e Dybalas në Juventus ka qenë temë diskutimi në muajt e fundit, pasi marrëveshja e tij me bardhezinjtë përfundon në verën e vitit 2022.

Drejtori sportiv i Juves, Fabio Paratici, ka këmbëngulur se argjentinasi është në radhë për kontratë të re, edhe pse për të vijon të flitet se do të largohet në janar, me Real Madridin, Barcelonën, Manchester Unitedin dhe PSG-në si destinacione të mundshme për të.

Për më tepër, 26-vjeçari nuk është titullar as nën udhëheqjen e trajnerit të ri Andrea Pirlo, i cili i ka dhënë mundësinë atij të luajë nga fillimi për Juven vetëm në tri ndeshje deri tani në Serie A.

Zamparini thotë se nuk e kupton pse një lojtar, i cili i ka të gjitha mjetet për t’i ndjekur hapat e Messit, nuk po luan nga fillimi çdo javë në Juve, si dhe i ka bërë thirrje atij të largohet nga Torino.

“Ende jam i bindur se ai është Messi i ri. Dybala, përveç se është kampion, është edhe djalosh shumë i mirë. Është blasfemi që Dybala nuk është titullar në Serie A. Paulo është dashur ta merrte këshillën time para tri vjetëve dhe të largohej nga Torino”, tha Zamparini.

“I pata thënë atij qartë: ‘Paulo, për hir të vetes tuaj, largohu nga Juventusi’. Futbolli i tij i përshtatet Spanjës, në Barcelonë apo Real Madrid. Por ai gjithmonë më ka thënë se ndihet mirë në Juventus”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online )