Zemra e Maradonës peshoi sa dyfishi i normales

  • S.A /
  • 02 December 2020 - 09:23
Zemra e Maradonës peshoi sa dyfishi i normales

Një javë pas vdekjes së Diego Maradonës, autoritetet argjentinase po vazhdojnë të hetojnë në laboratorë të ndryshëm se çfarë saktësisht e shkaktoi vdekjen e legjendës së futbollit argjentinas në moshën 60-vjeçare.

Mostra të urinës dhe gjakut, si dhe zemra e tij janë ekzaminuar deri tani. Është gjetur se zemra e Maradonës peshoi rreth 500 gramë. Që është dyfishi i normales.

Ekspertët mjekësorë që po punojnë në rastin e tij janë habitur nga pesha e zemrës së tij, sipas gazetës spanjolle MARCA.

Detyra e tyre, sipas të përditshmes spanjolle, është të zbulojnë nëse Maradona kishte konsumuar alkool, drogë apo ndonjë substancë tjetër pak para vdekjes.

Kjo do të jetë vendimtare në hetimin e prokurorisë argjentinase.

Shkaktari i vdekjes së tij ka qenë ënjtja akute e mushkërive, e cila ka çuar në dështimin kronik të zemrës.

Por teste shtesë do të bëhen për të mësuar më shumë. Sipas Telam, shumica e testeve do të nisin sot, një javë pas vdekjes së tij.

(Kosova Sot Online )