Nata e kualifikimit në Champions

  • G.G /
  • 09 December 2020 - 16:24
Nata e kualifikimit në Champions

Sonte do të kompletohet e teta e finales së Ligës së Kampionëve pas ndeshjeve të fundit në Grupet A, B, C e D

Sonte do të zhvillohen ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.

Grupet A, B, C e D do t’i zbulojnë emrat e ekipeve që do ta kompletojnë të tetën e finales së kësaj gare.

Në Grupin A, dueli kryesor, i cili do ta përcaktojë skuadrën që do të kualifikohet tutje është ai në mes të Salzburgut dhe Atletico Madridit.

“Los Colchoneros” do të shkonin tutje me një barazim eventual në Austri.

Kurse, Mërgim Berisha me shokë kanë nevojë vetëm për fitore për ta prerë një biletë për fazën eliminuese.

Në duelin tjetër, Bayern Munichu e pret Lokomotivën e Moskës në një ndeshje pa presion dhe pa peshë.

E Grupi B do të jetë më interesanti.

Katër skuadra kanë ende gjasa për t’u kualifikuar në të tetën e finales.

Interit i duhet gjithsesi fitorja në shtëpi kundër Shakhtar Donetskut.

Më pas, “Nerazzurri” duhet të shpresojnë që Real Madridi ta mposht Borussia Monchengladbachun në duelin tjetër.

Aktualisht, ekipi gjerman prin në tabelë, kurse ai ukrainas është i dyti.

Prandaj, edhe Gladbachu e Shakhtari kanë gjasa të mira për të shkuar përpara.

Në Grupin C, Manchester City e pret Marseillen në një ndeshje pa peshë për anglezët.

Kurse, francezët e duan fitoren për t’i vazhduar garat në Europa League.

Në ndeshjen tjetër, Olympiacosi shpreson në fitore kundër Portos, e cila tashmë është kualifikuar. Edhe ekipi grek synon të vazhdojë në Ligën e Evropës.

Grupi D gjithashtu mbetet interesant.

Derisa Liverpooli e ka siguruar kualifikimin dhe luan i qetë sonte me Midtyjlandin në udhëtim, interesante do të jetë sfida tjetër.

Atalantës do t’i mjaftonte një barazim në udhëtim me Ajaxit për të shkuar në të tetën e finales.

Nga ana tjetër, holandezët nuk kanë opsion tjetër veç fitores, për të shkuar në fazën tjetër. 

(Kosova Sot Online)