Arthur: E zgjodha Juventusin për të fituar trofe

  • S.A /
  • 12 December 2020 - 13:54
Arthur: E zgjodha Juventusin për të fituar trofe

Transferimin te Juventus nuk e mori me shumë entuziazëm dhe e pranoi vetëm pasi u detyrua nga klubi i Barcelonës, por me kalimin e kohës, mesfushori brazilian Arthur po ambientohet gjithmonë e më shumë me klubin torinez.

Në një intervistë të dhënë për të përditshmen spanjolle “Marca”, Arthur tregoi muajt e parë të aventurës së tij te Juventus dhe pranoi vështirësitë e ambientimit me stilin e jetës e futbollit në Itali.

“Në fillim nuk ishte e lehtë, pasi kalova në një vend me stil jetese dhe mënyrë loje krejt tjetër, por tani jam i qetë dhe i lumtur. Juventusin e zgjodha për projektin e traditën, pasi këtu kam mundësi të luaj e të garoj për të fituar trofe të rëndësishëm, si në Itali, ashtu edhe në Europë”, u shpreh Arthur.

Andrea Pirlo ka pasur një rol mjaft të rëndësishëm në ambientimin e mesfushorit brazilian, që e pranon edhe vetë ndihmën nga ana e trajnerit. Arthur flet me superlativa për teknikun bardhezi dhe pranon se e ka shumë të lehtë të luajë duke ndjekur këshillat e tij.

“Pirlo është një trajner i jashtëzakonshëm dhe jam me fat që e kam gjetur këtu. Ai ka një eksperiencë shumë të madhe dhe më flet shumë, duke më treguar se çfarë të bëj e çfarë të mos bëj. Mua nuk më mbetet gjë tjetër veçse ta dëgjoj, të ul kokën dhe të bëj atë që ai kërkon. Shpjegon mjaft mirë atë që ne duhet të bëjmë në fushë dhe di të lexojë në mënyrë perfekte kundërshtarët”, tha mesfushori brazilian.

(Kosova Sot Online )