Ramosi thotë se PSG-ja e dëshiron atë bashkë me Messin

  • S.A /
  • 05 January 2021 - 11:45
Ramosi thotë se PSG-ja e dëshiron atë bashkë me Messin

Mbrojtësi i Real Madridit, Sergio Ramos, pretendon se Paris Saint-Germain i ka thënë se dëshiron ta sjellë në kryeqytetin francez atë bashkë me Lionel Messin, sipas emisionit televiziv spanjoll El Chiringuito.

Ramosit i mbaron marrëveshja me Real Madridin në përfundim të këtij sezoni, pra në verë, dhe nuk ka asnjë shenjë se ai do ta vazhdojë qëndrimin në Bernabeu.

Bisedimet mes tij dhe klubit madrilen kanë ngecur dhe nuk ka ndonjë ofertë për vazhdimin e marrëveshjes së kapitenit.

Tani që është hapur afati kalimtar i dimrit, 34-vjeçari është i lirë të flasë me klubet e tjera jashtë Spanjës për t’iu bashkuar ndonjërit prej tyre falas në verën e ardhshme.

PSG-ja thuhet të jetë destinacioni më i mundshëm i tij, pas gjiganti francez ka nevojë për një qendërmbrojtës dhe Ramos i plotëson kushtet.

Messi ndodhet në një situatë të njëjtë si Ramos, pasi i mbaron kontrata pas gjashtë muajve dhe është i lirë të flasë me klube të tjera nga ky muaj.

Sipas El Chiringuito TV, Ramos i ka thënë presidentit të Real Madridit, Florentino Perez: “Në PSG më kanë thënë se do ta krijojnë një ekip me mua dhe me Messin”. 

(Kosova Sot Online )