Juventusi mezi e mposht Sassuolon

  • A.P /
  • 10 January 2021 - 23:15
Juventusi mezi e mposht Sassuolon

Juventusi ka vuajtur shumë për ta mposhtur Sassuolon, e cila luajti me një lojtar më pak tërë pjesën e dytë, dhe bëri edhe një hap më afër kreut të renditjes në Serie A.

Danilo, Aaron Ramsey dhe Cristiano Ronaldo i shënuan golat e triumfit për Juventusin në Allianz Stadium, me Gregoire Defrel që e kishte shënuar golin e barazimit të përkohshëm për Sassuolon.

Kampioni në fuqi po vinte nga një fitore e rëndësishme ndaj liderit Milan, e cila e ktheu bindshëm në garë për titull, dhe i duheshin tri pikë ndaj Sassuolos për ta mbështetur këtë pohim.

Bardhezinjtë ngrihen në pozitën e katërt tani me 33 pikë, shtatë më pak se lideri Milan por me një ndeshje në dispozicion për ta luajtur.

Në një pjesë të parë pa shumë mundësi shënimi dhe të barabartë, Juve u godit nga lëndimet, pasi Weston McKennie dhe Paulo Dybala u detyruan ta lëshojnë fushën për Aaron Ramsey dhe Dejan Kulusevski përkatësisht.

Në çastet e fundit të takimit Obiang e ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Federico Chiesas.

Pesë minuta brenda pjesës së dytë, Danilo shënoi gol të jashtëzakonshëm nga rreth 30 metra largësi për ta kaluar skuadrën vendase në epërsi.

Por vetëm tetë minuta më vonë, Sassuolo – që luajti pa sulmuesin kryesor Berardin e lënduar – e barazoi rezultatin falë golit të Defrel.

Vizitorët kanë mundur të kalonin në epërsi sikur të shfrytëzonin rastet në vazhdim me Defrel e Boga.

Dhe pas shumë përpjekjeve, Ramsey e ktheu epërsinë e Juves në minutën e 82-të, para se Ronaldo ta vuloste fitoren duke shënuar në minutën e dytë shtesë.

Sassulo, që bie në pozitën e shtatë me 29 pikë, do të përballet me Parmën në ndeshjen e ardhshme.

Juventusi, ndërkohë, udhëton drejt Milanos për t’u përballur me Interin të dielën e ardhshme. 

(Kosova Sot Online)