E rëndë: Avioni me sportistë rrëzohet, humbin jetën të gjithë
Një avion i vogël që transportonte lojtarë të pickleball-it u rrëzua mes pemëve në rajonin Texas Hill Country, duke lënë të vdekur të pesë personat në bord, njoftuan autoritetet të premten.
Aksidenti ndodhi rreth orës 23:00 të së enjtes në qytetin Wimberley, rreth 40 milje në jugperëndim të Austin, sipas Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit.
“Piloti dhe katër pasagjerët në bord u shpallën të vdekur në vendngjarje,” deklaroi zyrtari Billy Ray.
Amarillo Pickleball Club bëri të ditur se viktimat ishin anëtarë të klubit, të cilët po udhëtonin drejt një turneu. Më vonë ata u identifikuan si Seren Wilson, Brooke Skypala, Stacy Hedrick, Glen Appling dhe Hayden Dillard.
“Në këto momente të vështira, ju lutemi mbajini familjet e tyre në mendimet dhe lutjet tuaja,” thuhej në reagimin e klubit.
Avioni, një Cessna 421C, ishte nisur nga Amarillo dhe po shkonte drejt aeroportit New Braunfels National Airport. Fotot ajrore të publikuara nga mediat tregojnë avionin plotësisht të shkatërruar në një zonë të pyllëzuar.
Hetimet paraprake tregojnë se avioni po udhëtonte me shpejtësi të lartë në momentin e përplasjes dhe nuk ka indikacione për përplasje në ajër.
Një banore e zonës, Stacey Rohr, tha se ndjeu një goditje të fortë dhe dridhje në shtëpi. “Ishte aq afër sa mendova se pjesa e pasme e shtëpisë sime ishte përfshirë nga flakët,” u shpreh ajo.
Lojtarët po udhëtonin drejt një turneu pickleball në Cranky Pickle, rreth 30 milje në verilindje të San Antonio. Organizatorët njoftuan se turneu i së premtes u anulua, ndërsa aktivitetet do të rifillojnë me një homazh për viktimat.
“Jemi thellësisht të pikëlluar. Komuniteti i pickleball-it është shumë i lidhur, të gjithë njihen me njëri-tjetrin,” tha organizatori Martin Robertson.
Presidenti i klubit, Dan Dyer, tha se kishte luajtur shpesh me katër nga viktimat. “Ishte lojtarë të shkëlqyer, gjithmonë konkurrues,” deklaroi ai.
Autoritetet bënë të ditur se një avion tjetër, që po udhëtonte nga Amarillo drejt të njëjtit event, u ul në mënyrë të sigurt në New Braunfels.
Sipas komunikimeve të kontrollit ajror, piloti i avionit të rrëzuar kishte filluar të lëvizte në mënyrë të çrregullt përpara se të zhdukej nga radarët. Një pajisje emergjente e avionit kishte dërguar sinjal ndihme, duke çuar në njoftimin e shërbimeve emergjente.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, moti në zonë ishte kryesisht i vranët pak para aksidentit, ndërsa një stuhi u regjistrua rreth dy orë më vonë.
(Kosova Sot Online)
