Ibrahimovici kërkon falje

  • S.A /
  • 27 January 2021 - 11:43
Ibrahimovici kërkon falje

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, ka thënë se Zlatan Ibrahimovic ka kërkuar falje për përjashtimin me karton të kuq, i cili – sipas tij – i ndihmoi Interit të kalojë në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.

Interi e mundi 2:1 Milanin me përmbysje në një ndeshje dramatike çerekfinale të martën, për të cilën Pioli kishte thënë pas ndeshjes së kuqezinjtë do ta kishin fituar sikur mos të ishte për kartonin e kuq të Ibrës.

Ibrahimovic e kishte kaluar Milanin në epërsi në pjesën e parë, para se të përjashtohej nga loja në fillim të pjesës së dytë pas dy kartonëve të verdhë.

Megjithëse e mbizotëroi Milanin, Inter vuajti derisa e gjeti golin e barazimit, kur Romelu Lukaku shënoi për 1:1 nga penalltia e fituar nga Barella.

Christian Eriksen, i ardhur nga stoli, shënoi gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë për t’ia siguruar Interit kalimin në gjysmëfinale në çastet e fundit të ndeshjes.

“Ibrahimovici ka kërkuar falje. Si kampion i madh që është, ai kërkoi falje”, tha Pioli më vonë.

Pezullimin në Kupën e Italisë Ibrahimovici nuk do ta vuajë në Serie A.

(Kosova Sot Online )