Koeman: De Jong është lojtar më i kompletuar tani

  • S.A /
  • 28 January 2021 - 14:02
Koeman: De Jong është lojtar më i kompletuar tani

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman, pati lavde për bashkatdhetarin e tij, Frenkie de Jong, referuar ndeshjes së të mërkurës në “Copa del Rey” me Rayo.

Katalonasit afër eliminimit të turpshëm karshi kundërshtarit të Segunda Division, me më pak se 30 minuta të mbetura lojë. Sidoqoftë, përfundimisht u përgjigjën duke barazuar me Lionel Messi, para se De Jong të shënonte golin e fitores 2-1, dhjetë minuta nga fundi. Pra, një kualifikim i vuajtur për në fazën çerekfinale.

Koeman e di ndoshta më mirë se shumica se çfarë është i aftë të bëjë De Jong, pasi i dha mundësinë e debutimit te Holanda, më 2018, ndërsa ishte ende tek Ajax.

“Ne kemi nevojë për të, sepse duhet që mesfushorët të jenë ofensivë. Ai ka shumë cilësi teknike dhe ndihmon nga thellësia. Kam biseduar me të në lidhje me ndihmën në sulm dhe shënimin e më shumë se një goli në sezon. De Jong është një lojtar më i plotë tani sesa kur luajti për Ajax. Ai krijon dhe shënon më shumë”, tha Koeman.

Ai shtoi: “Për ne ka qenë një muaj i vështirë. Kishim shumë ndeshje jashtë dhe udhëtime. Plot tetë ndeshje. Skuadra ka treguar mentalitetin e saj për t’u përballur me këtë muaj të vështirë. Kur fitoni, nuk jeni aq të lodhur. Rezultatet na japin besim. Ne do të jemi mirë për të dielën”.

(Kosova Sot Online )