Shaqiri: Ne nuk jemi robotë

  • s. /
  • 08 February 2021 - 13:27
Shaqiri: Ne nuk jemi robotë

Xherdan Shaqiri thotë se rënia e formës së Liverpoolit nuk duhet të shihet si një tragjedi dhe insiston se ai me shokë nuk janë robotë që mund të jenë gjithmonë në top-formë. Ylli kosovar beson ende se “Reds” kanë mundësi ta fitojnë titullin e kampionit përkundër shkëputjes së Manchester Cityt. 29 vjeçari është i gatshëm ta japë kontributin e tij sa herë që ia jep rastin trajneri Jurgen Klopp

Xherdan Shaqiri insiston se rënia e Liverpoolit është normale dhe se futbollistët nuk janë robotë që mund ta japin gjithmonë 200 për qindëshin.

“Reds” kanë mbetur 10 pikë prapa Manchester Cityt pas humbjes në shtëpi, 1:4, ndërsa “Citizens” shihen si favoritë për ta fituar titullin.

Madje, ekipi i Pep Guardiolës e ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.


Skuadra e Jurgen Kloppit nga ana tjetër po përballet me lëndime dhe me lojtarë që nuk kanë mundur të adaptohen ende.

Përkundër faktit që kampioni aktual i Anglisë ka mbetur shumë prapa, futbollisti kosovar nuk e ka ndërmend të dorëzohet kur bëhet fjalë për titull të kampionit.

“Ne jemi si njerëzit normalë që kanë ngritje dhe rënie. Kjo është normale. Ne nuk jemi robotë që mund të jenë gjithmonë në 200 për qindëshin e tyre”, deklaroi përfaqësuesi zviceran për mediumin “Daily Mail”.

“Ekipet e Premierligës janë të mira, madje edhe me ekipe të vogla është e vështirë të luash. Ekipet e mëdha janë gjithmonë të forta. Jo vetëm ne”, vazhdoi ai.

“Ndoshta, ne i kishim disa lojë ku nuk luajtëm mirë. Edhe ekipet tjera të mëdha nuk ishin në formë solide këtë sezon. Ne jemi ende atje, në Top 3 ose Top 4, kështu që nuk mund të ankohemi sikur të ishte shumë keq. Unë e shoh këtë ndryshe nga njerëzit jashtë”, shprehet tutje futbollisti nga Zhegra e Gjilanit.


“Ne jemi një nga ekipet më të mira në Premierligë dhe në botë. Ne jemi njerëz normalë dhe jo robotë, kështu që mund të kemi ndonjëherë momente jo të mira dhe që ekipet tjera po përmirësohen çdo herë me rezultate dhe kjo është gjë normale në jetë”, thotë ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit dhe Stoke Cityt.

“Ne luajmë në ligën më të mirë në botë dhe në këtë sezon mund ta shihni se çdokush mund ta mposhtë çdokënd. Pritet të jetë një sezon interesant. Lufta për titull është ende e hapur. Do të jetë speciale deri në fund nëse shkon në këtë rrugë”, përfundoi Shaqiri.

Ylli kosovar po luan më shpesh këtë sezon, ndërsa kishte përfunduar shpesh në bankinë që prej transferimit të tij në Liverpool në vitin 2018.

Ai zotohet se do ta japë më të mirën nga vetja sa herë që do t’i jepet rasti nga trajneri Klopp.
(Kosova Sot Online  )