Zbardhet lista e Kosovës për ndeshjet kundër Luksemburgut dhe Sllovakisë

  • S.A /
  • 10 February 2021 - 10:51
Zbardhet lista e Kosovës për ndeshjet kundër Luksemburgut dhe Sllovakisë

Kombëtarja e Kosovës në basketboll gjatë muajit shkurt do t’i zhvillojë dy ndeshje në kuadër të parakualifikimeve evropiane për Kupën e Botës 2023.

Dritarja e Tretë e kualifikimeve do të zhvillohet në Prishtinë, ku të gjjitha ndeshjet e Grupit B, do të zhvillohen në kryeqytetin e Kosovës.

Kosova A më 18 Shkurt do të ballafaqohet me Luksemburgun, kurse më 20 Shkurt me Sllovakinë. Përballjet zhvillohen nga ora 19:00.

Përzgjedhësi Christos Marmarinos së bashku me ndihmësit e tij kanë publikuar listën e gjerë me 16 basketbollistë për sfidat e muajit shkurt. Basketbollistët e Kosovës të martën mbrëma kanë zhvilluar stërvitjen e parë, kurse stërvitjen e dytë do ta kenë sonte nga ora 19:00.

Lista e gjerë e Kosovës: Divine Myles, Musab Malaj, Valon Bunjaku, Mikaile Tmusiq, Dardan Berisha, Erjon Kastrati, Denis Zenelaj, Arian Qallaku, Meriton Ismaili, Drilon Hajrizi, Samir Zekiqi, Alban Veseli, Dion Sheqiri, Fisnik Rugova, Gëzim Morina dhe Urim Zenelaj.

Për dallim nga ndeshjet e nëntorit, rikthehen Dardan Berisha, Gëzim Morina dhe Samir Zekiqi, kurse basketbollisti i natyralizuar për takimet e shkurtit do të jetë Divine Myles.

Për herë të parë te Kosova A janë ftuar Denis Zenelaj dhe Dion Sheqiri. Denis luan në Gjermani për skuadrën Eisbaren Bremerhaven, ku paraqitet për juniorët e kësaj skuadre dhe ekipin e parë, kurse Dioni aktivizohet në Itali, te skuadra Allianz Pallacenastro Trieste.

Në këtë grup, Islanda është lidere me tri fitore dhe një humbje, nga dy fitore kanë Kosova dhe Sllovakia, kurse Luksemburgu ndodhet në vendin e fundit me një fitore dhe tri humbje.

Nëse Dardanët shënojnë dy fitore në dy takimet e zhvilluara, atëherë do të kualifikohen në rrethin e ardhshëm.

(Kosova Sot Online )