Interin synon t’i blindojë Martinezin, Barellën dhe Bastonin

  • E.K /
  • 13 February 2021 - 12:51
Interin synon t’i blindojë Martinezin, Barellën dhe Bastonin

Ndonëse janë në pritje për të mësuar se cili do të jetë pronari i ri i klubit, drejtuesit e Interit vijojnë punën për rinovimin e kontratës me tre nga elementët më të spikatur të zikaltërve në dy sezonet e fundit.

I pari është argjentinasi Lautaro Martinez, kontrata e të cilit me Interin skadon më 2023-shin dhe Marotta e Ausilio kanë propozuar zgjatjen me një vit dhe rritjen e rrogës deri në 4.5 milionë euro në sezon.

Negociatat mes palëve duken në rrugë të mbarë dhe firma e Lautaros mbi kontratën e re mund të vijë para fundit të këtij sezoni, ndonëse argjentinasi mund të lërë zikaltrit nëse paguhet klauzola prej 111 milionë eurosh në verë.

Një tjetër futbollist që pret rinovimin është mbrojtësi Alessandro Bastoni, i cili është shndërruar në një titullar fiks të formacionit të Contes, por merr vetëm 1.5 milionë euro pagë dhe ka kontratë deri në verën e 2023-shit.

Edhe në rastin e Bastonit ka pasur takime paraprake me menaxherin e tij dhe zikaltrit kanë propozuar një kontratë të re të vlefshme deri në verën e 2025-ës, por këtë herë me pagë sa dyfishi i asaj aktuales, pra rreth 3 milionë euro në sezon.

I fundit në listë, por jo më pak i rëndësishmi, është mesfushori Nicolo Barella, i cili po shkëlqen jo vetëm me zikaltrit, por edhe me fanellën e kombëtares italiane dhe te Interi e shohin si kapitenin e ardhshëm, kur të largohet Handanoviç.

Kontrata e mesfushorit të palodhur skadon në verën e 2024-ës dhe paga aktuale e tij është vetëm 2.5 milionë euro, ndërsa plani i zikaltërve është t’ia zgjasin bashkëpunimin edhe me një vit, për t’i përmirësuar edhe rrogën në 4.5 milionë euro, që mund të shkojnë në 5 bashkë me bonuset.

Të tre këta futbollistë janë në një moshë shumë të re, Barella 24 vjeç, Lautaro 23 vjeç dhe Bastoni 22 vjeç, teksa që tani janë titullarë të padiskutueshëm te zikaltrit dhe shihen si baza për të ardhmen e klubit.

Pikërisht për këtë arsye te Interi duan t’i blindojnë sa më shpejt me kontrata të reja të tre futbollistët, të cilët do të vlerësohen edhe për kontributin që po japin, pasi do të motivohen me paga thuajse sa dyfishi i atyre aktuale. /SS

(Kosova Sot Online)