Chiellini-Rrahmanit: Çohu, mos luaj budallain

  • S.A /
  • 14 February 2021 - 15:18
Chiellini-Rrahmanit: Çohu, mos luaj budallain

Diferenca në ndeshjen Napoli-Juventus, në fund të fundit, u bë nga një episod që ndodhi në pjesën e parë, i vlerësuar nga Doveri, pas konsultimit me sistemin VAR, 11-metërsh në favor të napolitanëve.

Goditja e Chiellinit në fytyrën e Amir Rrahmanit ishte tema e debatit pas ndeshjes, sigurisht edhe në momentin e ngjarjes, në fushën e blertë.

Fillimisht gjyqtari nuk e vuri re kontaktin mes të dyve (Chiellinit dhe Rrahmanit) dhe vetë kapiteni bardhezi, duke parë kundërshtarin të shtrirë në tokë mes dhimbjesh, bëri çmos për t’u siguruar që mbrojtësi kosovar të ngrihej dhe të shmangte ndëshkimin për atë që ai e konsideron një skenë (mashtrimi) të mbrojtësit “dardan”.

Siç mund të kuptohet nga audioja e ambientit, në fakt, Chiellini i drejtohet Rrahmanit menjëherë pas shuplakës që i dha në zhvillimet e një goditjeje të lirë për Napolin.
“Jepi Rrahmani, çohu, mos luaj budallain” – dëgjohej t’i ketë thënë Chiellini Rrahmanit.

Doveri, megjithatë, vendosi të akordonte penallti në favor të Napolit, të cilën Insigne e shndërroi në gol, çka i siguroi fitoren vendasve.

(Kosova Sot Online )