Rashica, i fokusuar tek Werderi

  • S.A /
  • 02 March 2021 - 15:23
Rashica, i fokusuar tek Werderi

Ylli kosovar është duke u munduar ta rikthejë formën e dikurshme, s’po mendon për transferim të mundshëm

Milot Rashica dështoi të transferohej në një klub tjetër në dy afatet e fundit kalimtare.

Ylli kosovar lidhej me një kalim në Premierligë verën e kaluar dhe në një klub tjetër gjerman gjatë janarit të fundit.

Mirëpo, asnjëri transferim nuk u realizua dhe vushtrriasi mbeti në Werder Bremen.

24 vjeçarin e përshkuan lëndimet e njëpasnjëshme, të cilat i kushtuan më pas edhe më rënie të performancave.

Tash, ish-futbollisti i Vushtrrisë dhe Vitesses është i fokusuar vetëm tek klubi i tij aktual.

Ai synon ta rikthejë formën e dikurshme dhe nuk po mendon për një transferim të mundshëm.

“Nuk është se vetëm po e them, por unë i jam borxhli i madh këtij klubi. Jam i vetëdijshëm se duhet t’ju rikthehem paraqitjeve të mia të dikurshme”, ka thënë Rashica për mediat gjermane.

“Fakti se nuk është realizuar asnjë transferim i përket së kaluarës dhe nuk luan rol për mua për momentin”, vazhdoi ai.

Rashicën e kërkonte Aston Villa në Angli. Por, atë e pëlqenin edhe klubet gjermane si Bayer Leverkusen, Leipzig e Hertha Berlin.

Rashica ka kontratë me Werderin deri në vitin 2022, por mund të largohet nga ky klub gjatë verës që vjen. 

(Kosova Sot Online )