Salihu, futbollisti i talentuar i cili aktivizohet në radhët e Lokomotivës së Moskës

  • A.P /
  • 26 mars 2021 - 18:11
 Salihu, futbollisti i talentuar i cili aktivizohet në radhët e Lokomotivës së Moskës

Hajdin Salihu, futbollisti i talentuar i cili aktivizohet në radhët e Lokomotivës së Moskës u shpreh mjaft i lumtur që është pjesë e Kombëtares, teksa theksoi se është pritur mjaft mirë nga skuadra.

Ftesa nga Kombëtarja: “Ftesën e Kombëtares shqiptare e kam pritur shumë emocionalisht. Është kënaqësi të jesh pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Për mua është nder dhe krenari të vesh fanellën kuqezi. Besoj se çdo futbollist shqiptar e ka ëndërr të veshë fanellën shqiptare.”

Niveli i grupit: “Është një grup i bukur, djemtë më kanë pritur mjaft mirë. Jemi duke punuar dhe besoj se do i arrijmë objektivat së shpejti. Niveli i skuadrës është shumë i mirë. Djemtë janë lojtarë të mirë dhe të talentuar dhe besoj se do kemi rezultate shumë të mira.”

Edhe Jeton Krasniqi, sulmuesi shqiptar që luan me Apoloninë u shpreh i kënaqur për grumbullimin me Kombëtaren, si dhe theksoi se grupi i 21-vjeçarëve, është një grup cilësor. Gjithashtu, ai theksoi se futbollistët e thirrur në këtë grumbullim nga tekniku Bushi, që luajnë në kampionatin shqiptar, janë mjaft të talentuar.

Ftesa nga Kombëtarja? – Ftesën e prita shumë mirë. Vështirësi ka kudo, jemi munduar të japim më të mirën. E prita shumë mirë ftesën, djemtë më pritën shumë mirë. Jam i kënaqur që jam pjesë e ekipit kombëtar. Të japim maksimumin tonë.

Futbollistët e kampionatit shqiptar? – Kam goxha shokë dhe i njoh edhe nga Superliga që jemi përballë. Na kanë pritur shumë mirë edhe ata që nuk na njohin dhe jemi përshtatur shumë shpejt.  Ata kanë marrë një shtysë që luajnë jashtë por edhe djemtë që luajnë me ekipet shqiptare nuk janë të patalentuar. Ata e kanë treguar veten edhe në ekipet e tyre që dinë të luajnë, kanë marrë minuta, japin gjithçka që kanë, më të mirën e tyre dhe përderisa janë këtu, tregon që kanë arritur diçka të mirë. Ka lojtarë të mirë, siç e thashë edhe më parë. Ata mund të ecin edhe më shumë, por duhet punë dhe përqëndrim në ekipet e tyre. Të japin maksimumet me klubet te tyre. Kombëtarja është diçka tjetër, është krenari për ata dhe shtysë e madhe për të treguar veten e tyre.

Niveli i ekipit? – Janë lojtarë të fortë dhe të mirë, kanë cilësi të mira. Edhe lojtarët që luajnë jashtë janë shumë të mirë. Ky grup ka cilësi shumë të mira.

Ndërkohë lista e Kombëtares U-21 ka pësuar të tjera ndryshime. Adolf Selmani, qendërmbrojtësi i Laçit është larguar nga grumbullimi për shkak të një problemi fizik. Me skuadrën është bashkuar Elmir Lekaj, nga KF Arbëria, lojtar i cili më parë është aktivizuar me Kombëtaren U-20, si edhe Diar Nikqi.

(Kosova Sot Online)