Shqipëria vazhdon përgatitjet për ndeshjen e madhe ndaj Anglisë

  • A.P /
  • 26 March 2021 - 20:37
Shqipëria vazhdon përgatitjet për ndeshjen e madhe ndaj Anglisë

Pas suksesit minimal 1-0 në transfertë, ndaj Andorrës, dhe rikthimit në Shqipëri, kuqezinjtë të drejtuar nga Edy Reja zhvilluan seancën e parë stërvitore në kompleksin “Tropikal” në prag të supersfidës me kombëtaren angleze, që do të luhet ditën e diel.

Një seancë e lehtë stërvitore më së shumti me karakter çlodhës, kjo edhe për shkak të sfidës së fundit që zhvilluan dhe gjithashtu për të mos rrezikuar lojtarët nga dëmtimet.

Për fatin e mirë, gjendja e skuadrës paraqitet optimale, me teknikun që, për momentin, nuk ka asnjë shqetësim. Gjithashtu, përgjatë ditës së shtunë, të gjithë futbollistët do t’i nënshtrohen testit të koronavirusit dhe shpresohet që të gjithë lojtarët të rezultojnë negativë.

Suksesi ndaj Andorrës bëri të mundur që kualifikueset drejt Botërorit “Katar 2022” të nisnin mirë për kuqezinjtë, fitore që, sigurisht, e ndihmon së tepërmi grupin e lojtarëve në prag të një prej sfidave me të vështira që na pret, siç është ajo ndaj Anglisë.

(Kosova Sot Online)