Kane s’kishte realizuar për Anglinë që nga ndeshja me Kosovën

  • A.P /
  • 29 March 2021 - 17:06
Kane s’kishte realizuar për Anglinë që nga ndeshja me Kosovën

Harry Kane rikthehet të shënojë me kombëtaren angleze pas afërsisht 500 ditëve. Sulmuesi i Tottenhamit po kalon një formë të shkëlqyer, megjithatë kishte ekzaktësisht 497 ditë pa gjetur rrjetën me skuadrën e “tre luanëve”.

Shqipëria u mundua ta mbulonte me rreptësi numrin 9 të Anglisë, që nuk u duk pothuajse fare në fushën e stadiumit “Air Albania” për shumë minuta, sidoqoftë mjaftoi një moment i vetëm për të kuptuar vlerat e mirëfillta dhe aftësitë e veçanta që zotëron.

“Uragani” Harry Kane, që te “Gjelat” është zëvendëskapiten, pasi shiritin te “Spurs” e mban portieri veteran francez, Hugo Lloris, kishte që nga takimi i datës 17 nëntor të vitit 2019 pa shënuar me fanellën e përfaqësueses angleze. Bëhet fjalë pikërisht për duelin me Kosovën, në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, ku realizoi 11’ para fundit golin e dytë, në fitoren 4-0 të ekipit të Southgate ndaj përfaqësueses dardane, Ishte goli i 32-të në karrierë me fanellën e Anglisë.

Afërsisht gjysmën e kësaj kuote, pra 17 gola të tjerë, Kane i ka shënuar me ekipet e moshave të këtij vendi, duke spikatur në këtë mënyrë që në moshë fare të re, më saktë që kur luante me 17-vjeçarët e Anglisë.

Duke patur parasysh numrin e madh të ndeshjeve gjatë një viti, përsa i përket skuadrave përfaqësuese, si dhe fazat finale të aktiviteteve madhore, evropian dhe botëror, që do të zhvillohen në vitet 2021 e 2022, Harry Kane tani i ka të gjitha mundësitë për të sulmuar rekordin e golashënuesit më të mirë të kombëtares angleze, Wayne Rooney, që e ka mbyllur karrierën e tij me 53 gola në 120 ndeshje.

Tani sulmuesi londinez numëron 33 gola në vetëm 52 takime dhe vlen të theksohet fakti që në qershor Harry do të ketë mundësi për t’i përmirësuar shpejt këto shifra, duke patur parasysh që në grup Anglia është shortuar me Kroacinë, Skocinë dhe Republikën Çeke, pa harruar gjithashtu faktin që në sfidat kualifikuese për botërorin e ardhshëm skuadra e “Tre Luanëve”, përveç Shqipërisë, ka në grup edhe Poloninë, Hungarinë, si dhe kundërshtarë tepër modestë si Andorra dhe San Marinon.

(Kosova Sot Online)