Muriqi i dëshpëruar tregon se ku po çalon Kosova

  • A.P /
  • 31 March 2021 - 23:39
Muriqi i dëshpëruar tregon se ku po çalon Kosova

Nëntëshi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, pas lojës së Kosovës me Spanjën ka treguar arsyet pse Kosova dështoi sot të marrë pikë në Sevillë.

Sulmuesi tha se ndeshjen e filluan mirë, por goli i parë i Spanjës ndikoi negativisht në skuadër. Rrjedhimisht u pranua edhe goli i dytë, e që nuk pritej pas 2-3 minutave.

“Besoj se e filluam ndeshjen mirë, e morëm një gol që ishte supergol. Mundemi vetëm t’ia urojmë. Ndoshta do duhej pak më shpejtë të reagojmë aty. Ndodhin këto me këto skuadra. Nuk pritej të marrim golin e dytë pas 2-3 minutave, kjo na pengoi pak të vazhdojmë lojën tonë. Pastaj shënuam, por edhe filloi lodhja sepse bënim shumë presion, e dimë fuqinë e Spanjës. Ishte një ndeshje që për neve është një eksperiencë e mirë”, ka thënë Muriqi.

Tutje, Muriqi u përgjigj në pyetjen se a po çalon Kosova menjëherë pas po pranon gol, sepse diçka e ngjashme ndodhi edhe në ndeshjen e parafundit ku Kosova humbi nga Suedia me rezultat 3-0.

“Unë besoj se kur po shënojmë golin e parë, po jemi pak mentalisht e lehtë, jo e dobët. Ngase kur po pranojmë golin e parë, nuk po mundemi me reagu shpejt për të nxjerr turbulencën që e kemi në kokë. Shpresoj që ditët në vijim do të përmirësohemi sepse çdo ditë e më shumë po përmirësohemi mentalisht”, tha Muriqi.

Kosova humbi nga Spanja në kualifikimet për Kupën e Botës, por nuk u turpërua.

Ishte Halimi që i shënoi gol fitueses së Kupës së Botës nga rreth 40 metra larg portës. Ndërkohë që loja përfundoi me rezultat 3-1 në dobi të vendasve.

(Kosova Sot Online)