Trajneri i Spanjës Enrique kishte ngecur në lift për një orë para ndeshjes me Kosovën

  • S.A /
  • 01 April 2021 - 10:25
Trajneri i Spanjës Enrique kishte ngecur në lift për një orë para ndeshjes me Kosovën

Trajneri i Spanjës, Luis Enrique, ka zbuluar se kishte ngecur në liftin e hotelit të skuadrës për një orë, bashkë me ndihmëstrajnerin e vet, para ndeshjes kundër Kosovës në kualifikime për Kupën e Botës 2022 të mërkurën.

Enrique dhe ndihmësi i tij kishin mbërritur në stadiumin e Sevillës “La Cartuja” pak çaste para ndeshjes, pasi autobusi me lojtarë kishte mbërritur tashmë. Spanja e mundi Kosovën 3:1 në një ndeshje të Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit, duke ua shkaktuar dardanëve disfatën e dytë në dy ndeshjet e para në grup.

Duke folur pas ndeshjes për incidentin me lift, Enrique tha: “Ne e kishim një plan B dhe stafi im do ta udhëhiqte ndeshjen. Nuk do të ishte punë e madhe, nëse nuk do t’ia kisha dalë të mbërrija”.

Spanja është lidere e Grupit B me shtatë pikë, pas tri ndeshjeve, e ndjekur nga Suedia me gjashtë pikë pas dy ndeshjeve. Greqia është e treta me dy pikë nga dy ndeshje.

Gjeorgjia është e parafundit me një pikë nga tri ndeshje, ndërsa Kosova e fundit pa pikë nga dy ndeshje.

(Kosova Sot Online )