Real – Liverpool, përballje gjigantësh

  • S.A /
  • 06 April 2021 - 14:37
Real – Liverpool, përballje gjigantësh

Dy prej klubeve më të mëdha të futbollit evropian do të ndeshen sonte në çerekfinale të Championsit. Në fushë do të zbresin 19 trofe të Ligës së Kampionëve, të cilët i kanë fituar këto dy klube. Çerekfinalja e Ligës së Kampionëve do ta sjellë një përballje gjigantësh. Dy prej klubeve më të mëdha në histori të futbollit evropian, Real Madridi dhe Liverpooli, do t’i masin forcat sonte.

Kjo në fakt do të jetë një përsëritje e finales së vitit 2018, ku fitonin madrilenët. Për dallim nga ajo ndeshje, ku Sergio Ramos ishte bërë protagonist pasi e kishte lënduar Mohamed Salahun, në këtë lojë mbrojtësi spanjoll do të mungojë. Të dyja klubet kanë lënë gjurmë në Champions dhe për këtë arsye ky pritet të jetë një ballafaqim mjaft interesant. Trajneri Zinedine Zidane këtë e ka konsideruar ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Francezi thotë se do të jenë 180 minuta apo më shumë të zjarrtë në përballjen e dyfishtë me “Reds”. Ai shpreson që Mbretërit ta prekin gjysmëfinalen. Nga ana tjetër, trajneri Jurgen Klopp mezi po e pret duelin me madrilenët. Ai e konsideron këtë si një ndeshje të vështirë duke e pasur parasysh kualitetin e kundërshtarit. Por, kampioni aktual anglez do ta kërkojë hakmarrjen ndaj “Los Blancos” në dy ballafaqimet në mes tyre. Pra, sonte do të zbresin në fushë 19 trofe të Championsit, pasi siç dihet, Reali e ka fituar atë 13 herë e Liverpooli 6 herë. E dueli tjetër i sontëm është ai në mes të Manchester Cityt me Borussia Dortmundin. Pasi e ka siguruar pothuajse titullin e kampionit në Angli, ekipi i Pep Guardiolës krejt forcat tash do t’i përqendrojë në Champions. Nga ana tjetër, Dortmundi, i udhëhequr nga Erling Haaland, po ashtu e kërkon gjysmëfinalen. Të dyja ndeshje do të luhen sonte duke filluar nga ora 21:00. 

(Kosova Sot Online )